Aleksandër Lumezi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Lumezi: Kurrsesi nuk do pranoj të mbetem ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se nëse nuk arrin të bëhet dekretimit i kandidatit Blerim Isufaj si kryeprokuror nga ana e Presidentes Vjosa Osmani, nuk do pranojë të mbetet ushtrues detyre në atë pozitë.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se kandidati Isufaj është votuar unanimisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe shpreson që presidentja të bëjë dekretimin e tij.
“Shpresoj shumë që presidentja do dekretoj kandidatin që unanimisht është votuar nga Këshilli Prokurorial. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë duhet të mblidhet Këshilli Prokurorial i Kosovës, me një pikë të rendit të ditës, caktimi i U.D, të kryeprokurorit të shtetit deri në marrje të dekretit nga presidentja”, ka thënë Lumezi.
“Unë kam pas biseda me anëtarë në KPK dhe ndërkombëtar dhe kam vendosur që unë kurrsesi të mos e pranoj detyrën e u.d të kryeprokurorit por të propozohet dikush nga prokurorët e zyrës së kryepokurorit të shtetit gjatë kësaj periudhe”, shtoi tutje Lumezi.
Lumezi bëri të ditur se ai do mbetet si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kurse, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.
Presidentja Osmani ka theksuar se do të kërkohet edhe dokumentacion shtesë përpara vendimit për dekretimin ose jo të Isufajt.
KALLXO.com ka raportuar për transparencën e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit.
Në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë në plotëni standardet e transparencës, ndërsa vendimet pasuese pas ankesave treguan për mungesë të një standardi të unifikuar në vlerësimin e kandidatëve.Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN që nga nisja deri në përfundim ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.