“Lista Serbe nuk do ta dorëzojë qeverisjen, as nuk do të marrë pjesë në zgjedhje”

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet të shtunën në Ohër.

Aleksandar Jabllanoviq, politikan nga Leposaviqi, ka thënë se që takimi në Ohër parasheh që ta rregullojë situatën e caktuar politike në veri dhe që Lista Serbe të pajtohet të dalë në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë afatin për regjistrimin e subjekteve politike për kandidaturë deri më 22 mars, në vend të 18 marsit sa ishte paraparë fillimisht.

”Pikërisht ky afat tregon se akoma llogaritet që, me anë të një marrëveshje të gjerë do të arrihet marrëveshje për realizimin e zgjedhjeve në veri. Unë mendoj që Lista Serbe në asnjë mënyrë nuk është e gatshme ta dorëzojë qeverisjen në mënyrë demokratike, përkundër faktit se ata nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje” – ka thënë Jabllanoviq.

Sipas tij, Lista Serbe as në dhjetor nuk ka dashur të marrë pjesë andaj si arsyetim për këtë i vendosën barrikadat, dhe si arsyetim për barrikadat ishte kinse arrestimi i një ish-polici.

“Arsyeja e vendosjes së barrikadave në dhjetor  ishin zgjedhjet. Atëherë, në nëntor, KQZ-ja e shtyu afatin për regjistrim, nga data 21 në 26 nëntor, dhe mendoj se në takimin e Ohrit kësaj radhe fokusi do të jetë në atë që kriza e shkaktuar artificialisht në veri, të cilën e shkaktoi Lista Serbe me anë të braktisjes së institucioneve, ajo krizë të tentohet të ulet e të qetësohet, të largohen tensionet,  që Lista Serbe të pajtohet të dalë në zgjedhje, në mënyrë që kështu të mund të mbahen zgjedhjet në veri” – ka shtuar Jabllanoviq.