Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Liburn Aliu flet për projektet infrastrukturore që do e lidhnin Kosovën me vendet e rajonit

Më 18 maj Kosova ishte nikoqire e ministrave të transportit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për projekte të infrastrukturës.

Lidhur me organizmin e kësaj konference, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka treguar propozimet e Kosovës për kyçje në korridoret infrastrukturore me vendet e rajonit.

Aliu në emisionin ‘Kallxo Përnime” tha se me Shqipërinë është plani për hekurudhën Prishtinë-Durrës, me Malin e Zi janë dy projekte, po ashtu ka projekte edhe me Maqedoninë e Veriut.

“Së pari është modernizimi i linjave ekzistuese dhe zhvillimi i autostradave brenda kufijve tonë, pastaj kyçjet me katër shtete, me Shqipërinë e kemi mendu hekurudhën që lidh Prishtinën me Durrësin, me Malin e Zi pritet të kemi një marrëveshje bashkëpunimi për dy rrugë Deçan-Plavë dhe Rozhajë-Pejë”, ka thënë Aliu.

“Me Maqedoninë bëhet fjalë për ndërtimin e pikave kufitare të përbashkëta. Po ashtu me Maqedoninë e kemi hapur edhe temën e rrugës që lidh Prizrenin me Tetovën”, shtoi më tej Aliu.

Sipas tij, me Serbinë janë në diskutim për autostradën që shkon drejt Merdares dhe plani për lidhje me Bujanovcin.

“Në raport me Serbinë, Kosova tani është në diskutim për autostradën që shkon drejt Merdarës dhe pas realizimit të autostradës së Gjilanit, duhet ta vazhdojmë deri te dheu i bardhë ë ta lidhur Bujanovcin me Republikën e Kosovës”, tha Aliu.

Aliu tha se përmes këtyre projekteve mundësohet lidhja me disa korridore që janë shumë të rëndësishme.

“Këto janë projektet me të cilat ne synojmë kyqjet në korridore, që është kyqje në koridorin 8, nga Durrësi drejt Shkupit dhe drejt Varnës në Detin e Zi, korridori 10 nga Senaliku drejt Budapestit, këto dyja i kalojnë afër Kosovës, por nuk e prekin, është linja e re Jon- Adriatik, ë ne është shumë  rëndësishme që të lidhemi më këto korridore”, ka thënë ministri Aliu.