Lëmoshëkërkuesit nga Shqipëria vijojnë mësimet në shkollën "Emin Duraku", drejtori thotë se në mbrëmje i shohin prapë në rrugë

22 fëmijë nga Shqipëria, të cilët kërkojnë lëmoshë rrugëve të Prishtinës, po vijojnë mësimet në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.

Visar Osmani, drejtor i kësaj shkolle, në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ndonëse këta fëmijë po vijojnë mësimet në shkollë, prapë në mbrëmje nuk po largohen nga rruga.

“Ne për momentin i kemi 22 nxënës që janë me situatë rruge, që vijnë nga Shqipëria, janë pa leje qëndrimi në Kosovë dhe përmes një projekti i kemi futur në proces mësimor, së paku e kemi qitë një hap para që ata fëmijë me u socializu me bashkëmoshatarë dhe me u largu prej rrugës” – tha ai.

Tutje Osmani shtoi se shqetësuese mbetet prapë se po këta fëmijë prapë në mbrëmje shihen në rrugë, te semaforët apo në vendet e caktuara.

“Në periudhën sa ata qëndrojnë në shkollë organizojmë qindra debate e tema që ju interesojnë atyre, thërrasim persona të ndryshëm nga jashtë që flasin për të mirat e të këqijat e një veprimi të keq, por e gjitha kjo e kam atë bindjen se ka raste që na bie mundi posht sepse nuk hasim në qëndrueshmëri apo përkrahje familjare” – theksoi drejtori i shkollës.

Osmani shpjegoi se në shkollën që ai udhëheq psikologia e shkollës mban ligjërata me tema të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe huliganizmin e probleme të tjera.

Ai tha se nuk janë të kënaqur me efektin e këtyre ligjëratave, ani pse drejtori vlerëson se në shumë raste punën që kanë bërë iu ka rezultuar me sukses.

“Kemi pasur shumë probleme në të kaluarën, aty ka qenë një ambient, një vend që ka pasur narkomanë, dhunë, ka pasur edhe vrasje” – tha drejtori,

Mirëpo, sipas Osmanit, bashkë me Policinë e Kosovës dhe me organe të tjera kompetente kanë arritur që t’i japin prioritet sigurisë së fëmijëve dhe të arrijnë në rezultat të kënaqshëm.