Labinot Leposhtica: Duhet koncentrim në inspektoratin e punës dhe gjykata për trajtim të drejtave e shkeljet ndaj punëtorëve

Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e BIRN ka thënë se segmenti mbrojtës tek punëtorët është shumë i rëndësishëm.

Ai në emisionin #KallxoPernime” tha se nevojitet koncentrim në trupën ekzekutive si inspektorati i punës dhe gjykata për të drejtat e punëtoreve.

Leposhtica theksoi se nëse këto dy mekanizma  nuk u sigurojnë punëtorëve se do ua trajtojnë problemet shpejt, shumë të drejta që parasheh ligji për kontrata bien poshtë.

“Segmenti i mbrojtës tek punonjësit është shumë i rëndësishëm, mendoj se aty konkretizohet i tërë procesi, duhet koncentrim në trupën ekzekutive, inspektoriatin e punës apo në gjykatë. Nëse këto dy mekanizma nuk arrijnë t`u sigurojnë punëtorëve se cështja e tyre do trajtohet në kohë, mos t’i humb aktualiteti, të gjitha të drejtat që parashohen në ligjin e kontratave bien poshtë pasi nuk e kanë forcën për zbatim në praktikë”, ka thënë Leposhtica

Sipas tij, në Kosovë Inspektorati i Punës nuk ka kapacitete të mjaftueshme.

Leposhtica theksoi se në fushatën e fundit ka pas premtime për shtim të inspektorëve të punës, duke vënë theksin se edhe ata që janë, japin gjoba përkëdhelëse për biznese.

“Në fushatën e fundit kemi pas premtime për shumëfishim të inskpetorëve, edhe këta aktualë do duhej të ishin shumë më agresivë në mbrojtje të drejtave të punëtorëve, pasi ata përmes gjobave përkëdhelëse ndaj punëdhënësve vetëm i inkurajojnë që të mos jenë shumë të kujdesshëm për punëtorët”, shtoi tutje Leposhtica.

Sipas tij, zvarritja e ankesave të punëtorëve nëpër gjykata po i dekurajon të flasin për shkeljet që u bëhen dhe si pasoje kemi braktisjen e vendit.

 “Krejt kjo pastaj i drejton punëtorët që të shkojnë në gjykatë e atje dihet epilogu zgjat 5-10 vite, kjo  i dekurajon punëtorët që të flasin për shkeljet që u bëhen, pastaj vijmë edhe tek braktisja e vendit”, ka thënë Leposhtica.