Kryetari Kastrati flet për problemin e reduktimeve të ashpra të rrymës në Malishevë

Qytetarët, bizneset dhe institucionet në fshatrat dhe qytetin e Malishevës ka tri vite që janë përballur me reduktime të gjata të rrymës.

Në debatin “Jeta në Komunë“, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, tregon se tre ditë në javë qytetarët e bizneset janë përballur me ndërprerje të rrymës nga 12 orë në ditë.

Përballë Jeta Xharrës, kryetari Kastrati tregon se çka kanë bërë si institucion në mënyrë që të gjendet zgjidhje.

“Kemi mungesë të rrymës nga 12 orë. Kemi reduktime të jashtëzakonshme të energjisë elektrike. Asnjë shkollë, biznes, ekonomi familjare nuk ka rrymë. Arsyetimi është që janë në procedura por kjo gjendje është që tri vite. 3 herë në javë nga 12 orë nuk ka energji elektrike”- theksoi kryetari Kastrati.

Kryetari i Malishevës tha se ka hasur në neglizhencë të institucioneve për ndërtimin e një nënstacioni, i cili do të zgjidhte këtë problem.

“Ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që qytetarët tanë të kenë energji elektrike. Ne kemi pasur takime me KEDS dhe KOSTT. Kemi arritur një marrëveshje me KEDS për vendosjen e përçuesit të ri elektrik përgjatë linjës Malishevë-Rahovec. Sa i përket ndërtimit të nënstacionit kanë nisur procedurat e projektimit dhe jemi në fazën që ZRRE jep leje për ndërtimin e këtij nënstacioni”- tha ai.

“Ka qenë një neglizhencë e jashtëzakonshme e institucioneve. Unë para dy viteve kam qenë në agjencitë qeveritare për me e shpreh shqetësimin tim. Kjo Asamble e ka nda një parcelë që i lejohet KOSTT-it me e ndërtu nënstacionin. KOSTT-i do të duhej që t’i zhvillonte procedurat ata kanë thënë që deri në vitin 2027 nuk është në plan ndërtimi i këtij nënstacioni”- vazhdon kryetari Kastrati.

Megjithatë, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati më 20.10.2024 ka njoftuar se kanë përfunduar punimet për vendosjen e përçuesit të ri elektrik përgjatë linjës Malishevë-Rahovec.

Kastrati ka theksuar se në bazë të të dhënave të KEDS-it qytetarët e Malishevës për herë të parë në këto vitet e fundit do të kenë një dimër pa reduktime të energjisë.

Kryetari i Malishevës: Përfunduan punimet e vendosjes së përçuesit të ri elektrik, qytetarët tanë do të kenë një dimër pa reduktime