Kryetari i Supremes: Besimi i qytetarëve po humbet kur po i krahasojnë dënimet

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka vlerësuar se raporti vjetor i monitorimit të gjykatave ‘Imuniteti i Korrupsionit’ i organizatave BIRN dhe Internews Kosova është një ndihmesë për sistemin gjyqësor.

BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë publikuar raportin vjetor të monitorimit të gjykatave në të cilin janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2021.

Gjatë këtij takimi u diskutuan gjetjet nga monitorimi i gjykatave nga monitoruesit e BIRN dhe Internews Kosova si dhe u adresuan rekomandimet konkrete të dala nga raporti në fjalë.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka thënë se çdo gjetje e këtij raporti do të merret parasysh dhe do të lehtësojë punën e Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore.

Peci shtoi se nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen udhëzuesi i Gjykatës Supreme për politikë ndëshkimore të jetë obligativ.

Ai sqaroi se ky udhëzues për politikë ndëshkimore po merret shembull dhe po kërkohen udhëzime edhe nga vendet e rajonit.

Lidhur me dënimet e ulëta të të akuzuarve për korrupsion, kryetari i Gjykatës Supreme ka thënë se besimi i qytetarëve po humbet kur po i krahasojnë dënimet.

“Besimi i qetarëve po humb kur po i krahasojnë dënimet me rrethanat e ngjashme të kryesve të veprave penale dhe dënimet që nuk po përkojnë me dispozitat e ligjit, prandaj po i quaj të arsyeshme dyshimet se po krijohet një drejtësi selektive”, tha Peci.

Lidhur me udhëzuesin e politikës ndëshkimore, Peci ka shtuar se qëllimi më i madh ka qenë bindja e gjyqtarëve që nuk do të ndërhyhet në vendimmarrjen e tyre.

Të pranishëm në konferencën e publikimit të raportit ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Raportin e plotë të publikuar nga BIRN dhe Internews Kosova mund ta lexoni në këtë LINK.