Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Krasniqi: Vendimi i Arbitrazhit për Telekomin është i padrejtë dhe skandaloz

Halil Krasniqi, drejtor teknik në Telekomin e Kosovës, ka thënë se vendimi i fundit i Gjykatës së Arbitrazhit është i padrejtë dhe skandaloz.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se Arbitrazhi i ka dhënë fitim të humbur “Z-Mobile” për diçka që ata nuk kanë kërkuar, me pretendimin se negociatat për vazhdim kontrate nuk janë mbajtur në mirëbesim.

“Ky vendimi i fundit është skandaloz dhe i padrejtë. Ankesa e “Z-Mobile” ka qenë që kontrata nuk skadon në korrik 2019, Telekomi e ka mbrojtur qëndrimin e vet të drejtë që kjo kontratë skadon në korrik 2019″, tha Krasniqi.

“Për çudi Arbitrazhi e pranon këtë pretendimin tonë, kurse e rrëzon pretendimin kryesor të “Z-Mobile” se përse na ka dërguar në Arbitrazh, pasi në emër të mosskadencës ata kanë kërkuar fitim të humbur deri në 45 milionë. Por, skandali këtu është se Arbitrazhi i ka dhënë fitim të humbur “Z-Mobile” për diçka që nuk ka kërkuar kinse diskutimet 6 muaj para skadimit nuk janë mbajtur në mirëbesim, këtu janë thirrur ata”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, pika e parë e dispozitivit të Arbitrazhit thotë që marrëveshja ka skaduar më 30 korrik 2019.

“Zhurma e “Z-Mobile” në media ka qenë se kjo kontratë nuk skandon dhe se do shkojë në Arbitrazh. Pretendimi i tyre ka rënë, pasi ka kërkuar fitim të humbur për vazhdim të kontratës”, shtoi tutje ai.

Krasniqi, i cili ka qenë pjesë e mbrojtjes së Telekomit në Arbitrazh në mbledhje të dokumentacionit, thotë se kontrata me “Dardafon.net” ka qenë e dëmshme për 10 vite.

“Menaxhmenti i kaluar e ka ndërprerë kontratën dhe u ka bërë një ofertë 80 me 20 për qind ndarja për neve. Nuk është dashur as kjo të ofrohet pasi ajo kontratë ka qenë e dëmshme për 10 vite”, shtoi ai.

Sipas tij, pasojë e këtij vendimi është kontrata e parë e vitit 2009, kurse në ekipin e mbrojtjes nuk kanë pasur askënd prej atyre që kanë shkëputur kontratën.

“Arbitrat edhe pse e kanë pranuar që kontrata skadon në korrik na thonë neve qe kemi qenë të obliguar me kontratë të parë, të uleni dhe ta bisedoni vazhdimin e kontratës. Ne kur kemi ardhur procesi ka qenë i nsiur, kemi formuar një ekip për mbrojtje. Nuk kemi pas asnjë person në ekip prej atyre që e kanë ndërprerë kontratën”, potencon tutje Krasniqi.

Pikë tjetër e humbur është edhe vonesa e telekomit në dhënie të SIM kartelave.

“Telekomi është vonu për kartela edhe për arsye financiare, edhe në kjo në bazë të kontatës së parë e vitit 2009. Ne po vuajmë nga një kontratë e vitit 2009”, shtoi ai.

Kurse, e kanë fituar pikën pse nuk kanë dhënë shërbime 4G.

Lidhur me vendimin e fundit të arbitrazhit, Krasniqi bëri të ditur se do ankohen edhe në gjykatat vendore dhe atë të Londrës pasi janë shkelur ligjet e Kosovës.

“Për shkak që janë shkelur ligjet e Republikës së Kosovës sipas konsulencës tonë ligjore ne do bëjmë ankimim në gjykatat tona që ky vendim të kthehet në zero. Po ashtu edhe në gjykatën e Londrës”, tha ai.

Pronari i Dardafon.net përpos Telekomit, ka edhe një padi të hapur me shtetin e Kosovës në arbitrazh, pikërisht për këtë shkëputje kontrate.

Krasniqi deklaroi se Telekomi është paditur nga ana e pronarit si qytetar i Kosovës, kurse shtetin e ka paditur si qytetar i Malit të Zi për dëmtim të investimeve të huaja.

” Pronari i Dardafon.net neve si Telekom na kanë paditur si qytetar i Republikës së Kosovës, si kompani lokale, për shtetin është bërë banor i Malit të Zi dhe e ka paditur si qytetar i huaj, për dëmtim të investimeve të huaja”, shtoi tutje Krasniqi.

Ai për fund tha se drejtësia vendore ende nuk po guxon të merret me dëmet mbi 100 milionëshe që janë bërë me këtë kontratë.