KOSTT mund të falimentojë nëse vazhdon të mbulojë rrymën e shpenzuar në veri

Fëllënëza Xhelili-Fiqi nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka thënë se mund të falimentojë ky operator nëse vazhdojnë ta mbulojnë energjinë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës.

“Nëse vazhdon të mbulohet furnizimi i veriut nga KOSTT, pa iu siguruar të hyrat për këtë obligim atëherë shumë shpejt ky operator do të jetë në prag të falimentimit”, ka thënë ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas saj në vitin 2021 janë paguar 40 milionë euro nga ana e KOSTT-it për veriun.

“Në 40 milionë euro të 2021-ës hynë të gjitha. Deri në nëntor, dhjetor ne e kemi ble energjinë sepse i kemi pasë rekomandimet e Kuvendit si aksionar të KOSTT-it që ne me i shfrytëzu fitimet e mbajtura të kompanisë për me importu energjinë për veri”, ka thënë ajo.

Tutje Xhelili-Fiqi ka shtuar se  KOSTT e ka obligim ligjor që të mbulojë veriun.

Sipas saj, që nga 2017 konsumatorëve nuk iu është faturuar asnjëherë për veri asnjë cent.