Jashari: Fytyrat e personave që sulmuan gazetarët në veri duhet të publikohen

Fatlum Jashari, gazetar në televizionin “ATV”, është pjesë e grupit të gazetarëve të cilët u sulmuan nga protestuesit në protestat në veri të Kosovës.

Gazetarët dhe punonjësit e mediave u përballen me sulme dhe provokime nga protestuesit në Leposaviq dhe Zveçan. Personat që i sulmuan, u filmuan nga gazetarët. Disa ishin me maska por disa me fytyrë të zbuluar.

Jashari tha se Policia e Kosovës dhe organet e rendit duhet të përdorin metodat e tyre dhe të identifikojnë personat që i sulmuan gazetarët.

Ai theksoi se sulmuesit duhet të sillen para drejtësisë.

“Unë për shembull mbaj mend që të premten e 26 majit, personat e njëjtë që i kena pa në atë turmën e dhunshme që kanë hedhë gurë në drejtim të gazetarëve fillimisht, e më pas kur është afru policia ka nisë ai “shiu i gurëve”, ne kemi mujtë me i identifiku me sy të lirë. Unë për vete i kam identifiku disa prej tyre kur kam shku në një ditë tjetër kur protesta hiqej që ishte si paqësore dhe ishin vënë në rend të parë gratë dhe fëmijët”- tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Jashari tha se fytyrat e personave që sulmuan gazetarët duhet të publikohen.

Ai deklaroi se ka pasur raste kur mediat lokale në veri të vendit kanë publikuar fotografi të gazetarëve duke i paraqitur ata si “provokues”.

“Nëse ne e marrim ne një rast aq të lehtë (publikimin e fotografisë nga Policia e Kosovës të një personi që vjedh në market) që është dukshëm krim më i lehtë për nga aspekti penal me një sulm ndaj një gazetari, ndaj një personi zyrtar, ndaj dikujt tjetër, sigurisht duhej të publikoheshin. Ne kemi parë raste kur gazetarët janë shënjetestru prej portaleve e mediave lokale që veprojnë në veri. Ne e kemi rastin e kolegut tonë i cili në vend që të jetë ndonjë publikim të fytyrave të sulmuesve një portal që është “Leposavic Portal” ka publiku një video të gazetarit tonë teksa raporton live dhe e kanë paraqitur si provokator. E në fakt kolegu ynë është ndër të rrallët që ka shku të marrë një opinion të protestuesve, është afru, i ka pyet pse keni dal këtu?”- deklaroi ai.

Reagimi i policisë për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq