Ish-hetuesi i IPK-së, Kajtazi: Plagosjes në veri po i jepet konotacion politik

Në emisionin “Kallxo Përnime”, të mërkurën u diskutua për plagosjen e një qytetari nga komuniteti serb, nga Policia e Kosovës në veri.

Ridvan Kajtazi, i cili ka qenë hetues në Inspektoratin Policor të Kosovës, tash avokat, ka thënë se kësaj çështjeje është munduar t’i jepet konotacion politik.

“PK në veri të vendit disa herë ka qenë e sulmuar nga grupe të ndryshme kriminale për shkak të vet prezencës së tyre atje, marr parasysh që kemi disa raportime kohëve të fundit që ka pas edhe lajme për ndërprerje të kontrabandës nga pjesa e Serbisë në territorin e Kosovës”, ka thënë Kajtazi.

Ndryshe, katër policë janë arrestuar pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në rastin e plagosjes së një personi në Leposaviq më 10 prill.

“IPK ishte njoftuar për këtë rast pasi që policia pas ekzaminimit të dëshmive të siguruara, kishte dyshime për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri” – thuhej  në njoftimin e IPK-së.

Pas kësaj ka pasur reagime të shumta.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara për incidentin në veri të Kosovës më 10 prill, në të cilin dyshohet të jetë plagosur një pjesëtar i komunitetit serb.

“Të gjithë shtetasit duhet të kenë besim në transparencën e zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe në sektorin e drejtësisë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj institucioneve për sundim të ligjit, avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multi-etnik”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Lista Serbe ka reaguar lidhur me plagosjen e një qytetari të komunitetit serb në Leposaviq.

Ata janë shprehur të shqetësuar që Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier është shprehur i shqetësuar për këtë rast.

“Në vend që të dënojë qartë tentativën e vrasjes së Milan Jovanoviqit mbrëmë në postbllokun ilegal të njësive parapolicore të Kurtit në Urën e Bistricës, ai është i shqetësuar!?” – ka shkruar Lista Serbe në Facebook.