Ish-guvernatori i BQK-së: Blerja e veturës në vlerë rreth 70 mijë euro - luks i tepruar

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, ka thënë se blerja e një makine për guvernatorin në vlerë rreth 70 mijë euro është luks i tepruar.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ka pasur një makinë në vlerë 40 mijë euro dhe theksoi se buxheti për këto blerje aprovohet nga bordi i BQK-së.

“Buxhetin e aprovon bordi i BQK-së. Mendoj se blerja e një makine në vlerë 70 mijë euro është një luks i tepruar. Kur aprovohet buxheti, diskutohet edhe këto çështje, mirëpo kjo varet edhe prej asaj çfarë do guvernatori”, tha Rexhepi.

Kurse, deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, tha se me këtë buxhet ka qenë në plan të blihen dy makina.

“Te blerja e veturës, buxheti ka qenë i ndarë për dy vetura, kërkesa pastaj ka ardhur për një veturë dhe është blerë ajo mbi 69 mijë euro. Nga guvernatori na është thënë se këto procedura i udhëheq prokurimi, por kërkesat nuk vijnë prej prokurimi, ata i kryejnë vetëm procedurat sepse ato vijnë prej ekzekutivit”, tha Rrahmani.

Derisa, ish-guvernatori potencoi se prej kohës kur ai nuk e mban postin ka pasur largim të kuadrove cilësore nga BQK-ja, të tillë që kanë qenë shtyllë e funksionimit të institucionit. Në anën tjetër ka pasur shtim të madh të numrit të punëtorëve.

BQK-ja blen veturë luksoze për guvernatorin në vlerë 69 mijë euro

www.kallxo.com