Ilir Morina: Hetuesi që mblodhi prova për masakrën e Reçakut u dërgua në Lipjan

Ilir Morina, prokuror special i ngarkuar me hetime në masakrën e Reçakut, ka deklaruar se hetuesi që u mor me këtë masakër është dërguar në stacion të Lipjanit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se tani hetuesi i ri ka nisur procesin prej fillimit.

“Hetuesi për masakrën e Reçakut nuk është më, me sa kam kuptuar ai është dërguar në stacionin e Lipjanit, arsyet nuk i di. Tash e kam hetuesin dhe duhet të nisë nga fillimi, i kam kërkuar të familjarizohet me dosjen. Jemi fokusuar që ato prova me të cilat dëshmohet masakra, t’i mbledhim. Kemi identifikuar dëshmitarët, kemi kërkuar edhe dëshmi nga komuna e Shtimes”- tha ai.

Sipas Morinës, deri tani për këtë masakër janë intervistuar 63 dëshmitarë dhe se kanë kërkuar bashkëpunim edhe nga Gjykata e Hagës.

Morina theksoi se Kosova më së paku ka siguruar informacione nga kjo gjykatë prej vendeve të rajonit.

“Deri tani janë intervistuar 63 dëshmitarë. Ngritja e aktakuzës është sfidë ligjore pasi jemi ende në proces të mbledhjes së dëshmive. Kemi kërkuar nga Gjykata e Hagës bashkëpunim ndërkombëtar. Kemi kuptuar se prej të gjitha vendeve të rajonit, Kosova më së paku ka siguruar informacione nga ajo Gjykatë e cila ka mbi 11 milionë prova për Jugosllavinë. Fakti që ne nuk jemi në OKB e vështirëson qasjen në prova”- tha ai.

Sipas tij, kallëzimi i parë penal për rastin Reçaku është dorëzuar në maj 2021.