Hetimet për mosdeklarim të pasurisë, zv.kryeministrja Gërvalla thotë se nuk ka asgjë për të fshehur

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk pret ngritjen e ndonjë aktakuze ndaj saj për rastin e mosdeklarimit të pasurisë.

“Unë nuk shoh asnjë element për ngritje të aktakuzës në një procedurë në të cilën të gjitha çështjet janë sqaruar. Unë nuk kam asgjë për të fshehur sepse nuk është që kemi ndonjë pasuri të madhe. Unë llogaris që edhe prokuroria do të shohë shumë shpejt që është humbje kohe” – tha ajo.

Në intervistën në emisionin “Kallxo Përnime”, Gërvalla ka sqaruar se ajo ka deklaruar pasurinë e saj, por nuk ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortit, prandaj edhe kanë filluar hetimet ndaj saj.

“E kam deklaruar pasurinë unë plotësisht, ka pasur një keqkuptim rreth konfliktit mes legjislacionit gjerman dhe atij të Kosovës rreth të ardhurave të tim shoqi i cili nuk jeton këtu dhe nuk ka asnjë lidhje financiare apo fizike me Kosovën, megjithatë kur kam bërë deklarimin e pasurisë për vitin e kaluar të gjitha ato janë përfshirë” – tha ajo.

“Bëhet fjalë për deklamimin kur kam marrë detyrën dhe aty kam menduar që një gjë e tillë nuk është e nevojshme. Aty unë nuk kam dhënë të dhënat për bashkëshortin tim i cili është shtetas gjerman. Kam menduar që përderisa legjislacioni gjerman i mbron të dhënat dhe privatësinë nuk kam dashur të shkaktoj konflikt” – shtoi ajo.

Më 26 tetor, nga Prokuroria e Prishtinës është konfirmuar se ndaj ministres Gërvalla është duke u zhvilluar një hetim për mosdeklarim të pasurisë.