Haxhiu për rastin e 'Vicianumit': Prokurori luajti rolin e avokatit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se prona e shtetit te rasti i ish-motelit ‘Vicianum’ në Vushtrri i është dhënë një personi që ka lidhje me dikë prej të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tha se rasti është dërguar në Prokurorinë Speciale, ku u kanë thënë se nuk është bërë shkelje e qëllimshme e ligjit.

“Kemi dërgu në Prokurorinë Speciale rastin e ‘Vicianumit’, nëpër portale thuhet që një prej personave që e ka fituar kontratën, pra prona e shtetit, i është dhënë një personi që ka lidhje me personat që janë sanksionuar nga ShBA. Ne e kemi paditur ish-ministrin Selim Selimi dhe ish-drejtorin e Burgjeve, Nehat Thaçi. Derisa, Prokuroria na përgjigjet se nuk është bërë shkelje me qëllim e ligjit dhe nuk është dëshmuar që dikush ka përfituar materialisht”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, rasti i “Vicianum”-it është fituar në gjykatë, por nuk ndiqet askush penalisht.

Ministrja potencoi se ka bindjen që prokurorët nganjëherë luajnë rolin e avokatit.

“Rasti “Vicianum” është i përfunduar, ne e kemi fituar rastin në gjykatë, i është kthyer Ministrisë së Drejtësisë, por nuk ndiqet askush penalisht. Nganjëherë kam bindjen që prokurorët po e luajnë rolin e avokatit. Ka paragraf në dokument që mendon se e ka shkruar avokati. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi, ka qenë në këtë rast,” shtoi tutje Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tutje theksoi se është e bindur që mund t’i ngritet kallëzim penal për shkak të deklaratave të saj.

“Secila deklaratë e imja shikohet me llupë të Prokurorisë, dhe jam e bindur që do më ngritet ndonjë kallëzim penal për shkak të deklaratave të mia”, tha Haxhiu.

Zv.ministri i Drejtësisë: Kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Selim Selimit dhe Nehat Thaçit