Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haxhiu: Deri tash s’kemi parë akoma rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë Albulena e Haxhiu ka folur për dënimet e ulëta të korrupsionit në emisionin “KallxoPernime”, ku u shpalos raporti i monitorimit të sistemit të drejtësisë nga organizatat “BIRN” dhe “Internews Kosova”.

Haxhiu deklaroi se akoma nuk janw parw rezultate të luftimit të korrupsionit në Kosovë.

“Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë në rastet e korrupsionit, padyshim që mbetet shqetësues, sepse pavarësisht krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe asaj që Kosova vazhdon të jetë nga vendet më të korruptuara, ne nuk kemi parë akoma rezultate konkrete se si luftohet korrupsioni”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se raportet sikurse ky i organizatave “BIRN” dhe “Internews Kosova” tregojnë se sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë për reformë të thellë.

“Raporte të tilla tregojnë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial, kanë arritur stadin e nevojës për reformë të thellë dhe në këtë drejtim vetëm kemi nisur punën”, tha ministrja.

Haxhiu theksoi se dënimet e ulëta të gjykatave në rastet e korrupsionit, po shërbejnë si motiv i shumë personave që të hyjnë në afera korruptive.

Këto deklarata Haxhiu i bëri në emisionin “KallxoPernime”, ku u shfaq konferenca e 15-të e monitorimit të sistemit të drejtësisë nga “BIRN” dhe “Internews Kosova”.

Raporti i këtyre organizatave ka shpalosur të dhënat e analizimit të 40 aktgjykimeve dënuese të korrupsionit të vitit 2020. Raporti i titulluar “Përkëdhelja e Korrupsionit” tregon se në 80% të rasteve të vitit 2020, gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar dënime më të ulëta se sa minimumi i dënimit për veprat të korrupsionit të cilat parashihen në kodin penal.