Hajdari: Në Kosovë janë vetëm 4 prokurorë që merren me krimet e luftës

Drita Hajdari nga Prokuroria Speciale e Kosovës tha se vendi ka numër të vogël të prokurorëve që trajtojnë krimet e luftës.

Ajo në konferencën e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) me temën “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”, ka thënë se numri i prokurorëve nuk është i mjaftueshëm në krahasim me lëndët që janë në prokurori.

“Prokuroria Speciale i ka pranuar të gjitha lëndët për krime lufte në vitin 2018 nga EULEX. Atëherë kanë qenë vetëm 2 prokurorë, tani i kemi 4. Numri nuk është i mjaftueshëm për lëndët që kemi në posedim”- tha ajo.

Ajo theksoi se sfida më e madhe për Kosovën është bashkëpunimi ndërkombëtar edhe për shkak se statusit politik të vendit.

“Kemi pasur një rast me Malin e Zi, për një person që është gjykuar dhe ekstraduar. Por, kryesisht hasim në heshtje dhe refuzim të kërkesave. Gjithçka lidhet edhe me statusin politik të Kosovës. Nuk marrim përgjigje nga Serbia, kemi pasur refuzim bashkëpunimi. Haga na ka thënë se nuk mund të realizojë bashkëpunim pasi është themeluar nga OKB dhe pasi Kosova nuk është anëtare nuk mund të bashkëpunojnë” – shtoi tutje ajo.

Sipas saj, Serbia hesht dhe nuk përgjigjet në shkresat e tyre pasi thonë se nuk është në bazë të qëndrimit të Qeverisë së Serbisë.

“As ne nuk përgjigjemi në kërkesat e Serbisë pasi për krime të kryera në Kosovë është kompetente Prokuroria Speciale e Kosovës për ato që kanë ndodhë në territorin tonë. Ka raste kur dy vendet hetojmë ngjarjen e njëjtë. Një rast nuk mund të gjykohet dy herë”- theksoi Hajdari.