Gjenerali Isufi: Gjatë ditës kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ushtrinë turke

Sefer Isufi, gjeneral brigade i Forcës së Sigurisë së Kosovës në emisionin “Kallxo Përnime” ka njoftuar se disa ekipe të FSK-së janë nisur për në Turqi, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve turke pas tërmeteve shkatërruese që kanë rënë sot në mëngjes në jug dhe juglindje të Turqisë dhe në veri të Sirisë.

“Gjatë ditës kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ushtrinë turke. Ne duke pasur kërkesën zyrtare nga ushtria turke do t’i dërgojmë dy ekipe të kërkim-shpëtimit urban, dy ekipe mjekësore për reagim emergjent dhe dy ekipe të tjera” – ka thënë gjeneral brigade Sefer Isufi.

FSK-ja në të kaluarën ka marrë pjesë edhe në operacione të tjera të kërkim-shpëtimit, sidomos pas tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri.

Afër 4 mijë veta kanë vdekur nga dy tërmete të forta që kanë goditur jugun dhe juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.