Gërvalla: Në 40 aktgjykime për korrupsion janë evidentuar 49 rrethana rënduese e 163 rrethana lehtësuese

Organizatat BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë publikuar raportin “Imuniteti i Korrupsionit”, ku janë analizuar 40 raste të aktgjykimeve dënuese të korrupsionit gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Gjetjet e raportit janë prezantuar nga Vyrtyte Gërvalla nga Zyra Ligjore e BIRN-it.

Gërvalla tha se gjetjet kryesore përfshijnë moszbatimin e kodeve në fuqi si dhe injorimin e udhëzuesve të politikës ndëshkimore.

Statistikat tregojnë se nga 40 aktgjykimet e analizuara rezulton se janë evidentuar 49 rrethana rënduese e 163 rrethana lehtësuese.

“Nuk është shqetësues vetëm numri i madh i rrethanave lehtësuese por shqetësimi është se nuk ka arsyetim të mirëfilltë apo nuk ka arsyetim fare pse janë marrë parasysh këto rrethana siç e kërkon edhe Udhëzuesi i Politikës Ndëshkimore”, shtoi Gërvalla.

Nga raporti është arritur të kuptohet se në 27 nga 40 aktgjykimet dënuese numri i rrethanave lehtësuese është shumë më i madh se i rrethanave rënduese.

Po ashtu, në 18 nga 40 aktgjykimet e analizuara nuk është evidentuar asnjë rrethanë rënduese, tha Gërvalla.

“Është gati e pamundur që në rastet e korrupsionit gjyqtarët të mos munden të gjejnë asnjë rrethanë rënduese në arsyetim të aktgjykimit”, tha Gërvalla.

Këto statistika tregojnë se në vetëm 5 nga 40 aktgjykimet e analizuara janë arsyetuar në përputhje të plotë me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale dhe Udhëzuesit të nxjerrë nga Gjykata Supreme.

Gërvalla tha se në rastet e dënimeve me kusht, gjykatat e Kosovës nuk e kanë arsyetuar pse një të akuzuari për korrupsion i kanë shqiptuar një dënim me kusht.

“Madje edhe vetë Udhëzuesi thotë se dënimet me kusht në rastet e korrupsionit duhen shumë rrallë të shqiptohen, por edhe kur shqiptohet duhet një detajim i arsyetimit. Kjo për arsye se pastaj sipas udhëzuesit gjykata e shkallës së dytë mundet me automatizëm me kthy në rigjykim kur nuk kemi arsyetim të konvertimit të dënimit më kusht në dënim me gjobë”, shtoi ajo.

Gërvalla konstatoi se është vetëm 1 rast nga 40 aktgjykimet për të cilën dënimi më i lartë ka qenë 3 vjet burgim.

“35 raste nga 40 aktgjykimet, dënimi i shqiptuar përkon me kufirin minimal ose në disa raste është nën kufirin minimal të dënimit të paraparë, ku nuk kemi arsyetim pse dënimi është i shqiptuar në këtë formë”, tha Vyrtyte Gërvalla.

Gërvalla tha se në 1 nga rastet e analizuara është refuzuar propozimi i prokurorit për dënim plotësues.

“Është një rast në Gjykatën Themelorë të Pejës, ku kemi pasur refuzim nga gjykata për propozimin e prokurorit për plotësim të dënimit në një rast të korrupsionit. Gjykata është mjaftuar në arsyetim se dënimi plotësues nuk shqiptohet në rastet kur të akuzuarit i shqiptohet dënim më kusht, çka është në kundërshtim me Udhëzuesit e Gjykatës Supreme”, tha Gërvalla.

Të pranishëm në konferencën e publikimit të raportit ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Raportin e plotë të publikuar nga BIRN dhe Internews Kosova mund ta lexoni në këtë LINK.