Gazetari i BBC-së flet për përgjigjen e Ibrahim Rugovës kur u pyet për UÇK-në

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet intervista me korrespondentin e BBC-së gjatë luftës në Kosovë, David Loyn.

Gjatë emisionit është transmetuar një kronikë e shkurtër e realizuar nga Loyn për BBC në të cilën shihet presidenti tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova, në njërën nga konferencat e tij të mbajtura gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Rugova ishte pyetur nga Loyn në atë kohë se “Si do ta përfshini UÇK-në në procesin e paqes?”

“Për grupin që e përmendni ju jam duke bërë hulumtime se kush janë ata, nëse ekzistojnë apo është lojë serbe. Gjenerator kryesor i dhunës në Kosovë është Serbia” – ishte përgjigjur Rugova.

Loyn thotë se Rugova qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në në atë kohë.

“Një gjë e jashtëzakonshme këtu është fakti se ai qartazi nuk dëshironte të fliste fare për UÇK-në. Dhe kishte një qasje të tipit “Nuk jam shumë i sigurt se kush janë këta njerëz”. Kjo vetëm dëshmonte shkarjen dhe faktin se kjo nuk ishte luftë e përbashkët”- thotë Lyon gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”.

Loyn, i cili nuk ka qenë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, thotë se është i emocionuar dhe frymëzuar kur sheh Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Korrespondenti nga BBC thotë se ishte i ‘goditur’ nga çmenduria që forcat serbe në krye me Slobodan Millosheviq po përpiqeshin të bënin në Kosovë.

“… dukej se po provokonte reagimin i cili në fakt erdhi një vit më vonë” – thotë Loyn.

Loyn gjatë emisionit theksoi rëndësinë e raportimeve nga mediat ndërkombëtare mbi luftën në Kosovë.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk po shikonte. Po e them shumë troç po të mos ishin gjërat që kemi parë ne si shtypjen e tmerrshme të njerëzve, masakrat ndaj civilëve si dhe guximin dhe zgjuarsinë e të rinjve dhe të rejave që luftuan …” – thotë ai.