Gashi: Shteti nuk ka investuar në parandalim të krimit

Kreshnik Gashi, redaktor në KALLXO.com, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet rreth punësimit të të burgosurve, ka thënë se nuk është investuar asgjë në parandalim të krimit.

Gashi ka shtuar se nuk ekziston asnjë program në asnjë komunë që do të parandalonte zhvillimin e kriminalitetit.

“Ne krimin e shohim vetëm ndëshkim vetëm burg. Kemi pasur vizion vetëm me i mbyllë njerëzit brenda, me i dënu sipas stilit të kohës së kaluar, edhe hala mendësia e njerëzve këtu kërkon vetëm burgim, jo risocializim, jo parandalim” – tha Gashi.

Më tej ai ka thënë se shteti pikërisht në këto dy fusha duhet të fokusohet, risocializim dhe parandalim.

“E para mos me i lënë njerëzit me shku n’burg fare, pra me i eduku njerëzit për krimin, për efektin që mund ta ketë, me i dhënë shancën e parë me u rikthy në jetë, me u dhënë sinjale që nëse ju theni ligje, këqyre çka ju gjen. Për dikë më problematike kish me qenë nëse e qesin midis Prishtinës me i fshi rrugët sesa me çu në burg, ose me i pagu 500 euro për një revole’’ – tha ai

Gashi ka thënë se nuk mund të ndalohet armëmbajtja pa leje nëse dënohet me vetëm 500 euro.

“Nëse i kish detyru shteti këta që sillen me “Range rover” nëpër Prishtinë me i fshi rrugët për shkak të armëmbajtjes pa leje, ishin matë dy herë” – tha më tej ai.

Në këtë debat u fol edhe për zyrat e punësimit, ku u tha se deri më tash asnjë ish i burgosur nuk është i punësuar nga këto zyre.