Gashi: Shteti injoron atë që mund ta sjellë ekstremi i djathtë në fushën e futbollit
Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar emisioni “Huliganizmi dhe ekstremi i djathtë”, ku po diskutohet edhe për lidhshmërinë e këtyre dy çështjeve me fushën e futbollit.
Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tha se ajo çka mund të vijë nga ekstremi i djathtë në fushën e futbollit po injorohet.
Sipas Gashit, si rezultat i mungesës se njohurive se çka paraqet ekstremi i djathtë ose çka paraqet radikalizmi e çka mund të sjellë në situata të tilla, Kosova ka dy probleme.
E para, sipas tij, lidhet me mekanizmat parandalues dhe e dyta me mekanizmat reagues.
“Ne kur të luajmë me Izraelin futboll kemi një stadium të blinduar pasi supozojmë se aty mundet me pasë shpërfaqje të ekstremizmit religjioz islam ndaj kombëtares së Izraelit dhe në këto raste shteti i tregon dhëmbët, edhe tregon që ka frymë edhe motivacion për me kalu çdo situatë dhe ne kalojmë me 0 incidente kur e kemi situatën e Izraelit” – tha Gashi.
Tutje ai shtoi se situatë e njëjtë nuk është bërë edhe në situatat e tjera, pasi sipas tij ka injorim të asaj se çka mund të sjellë ekstremi i djathtë ose grupet e tjera në fushën e futbollit.
“Pra, një lojë e futbollit mundet me qenë target për një grup të ekstremit, por një grup tjetër mundet me qenë target për një grup tjetër” – theksoi Gashi.
I njëjti shtoi se në rastin e 06.09.2024 Kosova ka luajtur me një kombëtare (Rumaninë) që nuk e njeh Kosovën.
“Kemi luajtur me një kombëtare e cila ka pasur shpërfaqje, disa thirrje të ekstremit në lojën ku ka luajtur Kosova më herët dhe ka pasur një frymë, një vullnet për me pasë shpërfaqje të tilla dhe kjo situatë mendoj që është anashkalu sidomos në çështjen e rregullave të sigurisë por po ashtu edhe ne çështjen e edukimit të situatës” – theksoi Gashi.
Ai shtoi se ka qenë prezent në stadium edhe e ka parë nivelin e vullnetit për të ushtruar dhunë.
“Njerëzit kanë gjuajtur shishe, kanë gjuajtur pije, kanë gjuajtur mjete në drejtim të lojtarëve dhe kjo neve na tregon që shoqëria është duke dashur probleme që janë në sport me i kthy në probleme të dhunës” – tha Gashi.
Gjatë ndeshjes së Kosovës me Rumaninë disa tifozë janë futur brenda fushës së futbollit, e po ashtu gjatë ndeshjes janë përdorur edhe fishekzjarre.