Gashi: Kemi zyrtarë në Polici të Kosovës që janë dhunues dhe kthehen në punë
Gazetari dhe redaktori përgjegjës në KALLXO.com, Kreshnik Gashi tha se problemi me policinë nuk është reagimi, por mungesa e parandalimit të rasteve të dhunës në familje.
Ai këtë deklaratë e dha në Kallxo Përnime në diskutimin rreth vrasjes mizore të Liridona Ademajt, nga tre të dyshuar përfshirë bashkëshortin e saj Naim Murseli.
“Fakti që ke dhunues brenda Policisë së Kosovës, njerëz që kanë dhunu vajza, njerëz që rrehin gra, njerëz që rrehin kolege dhe kthehen në punë në Policinë e Kosovës, njerëzit e dënuar kthehen në punë. Kjo kallxon që Policia e Kosovës është e paaftë me e luftu dhunën në familje brenda institucionit të vet, lëre më jashtë saj”- deklaroi Gashi.
Kjo sipas Gashit e portretizon policinë si një aparat që toleron dhunën.
“Nëse ti ke një rreshter që është i akuzuar që e ka rreh gruan dhe ai vazhdon me punu aty, kjo është problematike për Policinë e Kosovës. Tash, cila gru guxon me shku me raportu në Polici të Kosovës kur e din që publikisht ka dal që e rreh dikend në qendër të qytetit dhe vazhdon me qenë në punë aty, i kemi rastet e Pejës për shembull që janë skandaloze, atëherë qysh me i besu Policisë së Kosovës”, tha Gashi.
Liridona Ademaj 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.