Fridon Lala: Për komunitetet duhet të reagojnë të gjithë qytetarët, jo vetëm përfaqësuesit e tyre

Fridon Lala, deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se për bullizmin ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas duhet të reagojnë të gjithë qytetarët, jo vetëm përfaqësuesit e tyre.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ potencoi se luftimi i dukurive negative ndaj këtyre komuniteteve duhet të bëhet nga të gjithë ata persona që mbajnë pozita publike.

“Problematika që unë e shoh si deputet është që gjithmonë pritet nga deputetët e radhëve të komuniteteve të reagojnë për çështje që për mua janë të të gjithë qytetarëve. Besoj që jo vetëm parlamenti, por edhe ata persona që mbajnë një pozitë publike të angazhohen në diskursin publik, në mënyrë që të luftohen këto dukuri negative”, ka thënë Lala.

Lala shtoi se rasti i fundit ku një pjestar i këtyre komuniteteve nuk mori shërbim në një lokal mori vemendje pasi persona të kabinetit qeveritar dolën në mbrojtje.

“E mira e rasteve si ai i fundit që një pjesëtar nuk u lejua të futej në një lokal ka qenë se mori vëmendje publike për shkak se persona të caktuar të kabinetit qeveritar kanë dalë në mbrojtje të viktimave”, shtoi Lala.

Sipas tij, shumica e problemeve vijnë nga një mendësi ose standard që është krijuar se një pjestar i një komuniteti duhet të sillet në një mënyrë të caktuar dhe kur bën një veprim pak më ndryshe, bie pre e një linçimi publik.