Fatmir Plakiqi tregon pse u shkarkua nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore

Drejtori i shkarkuar i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se gjithçka që është folur për të në media është e pavërtetë dhe për këtë ka përgatitur një dosje, të cilën e ka dërguar në Polici.

“Unë Bujarin (Kaçorin) e kuptoj pasi është pjesë e Fondit. Ky flet me direktiva të bordit drejtues sepse me atë kusht edhe është caktu në këtë pozitë” – ka thënë Plakiqi.

Ndërsa, u.d. drejtori i Fondit, Bujar Kaçuri, ka thënë se nuk dëshiron që ta degradojë debatin pasi që ai nuk ka vendosur për shkarkimin e Plakiqit.

Sipas ish-drejtorit Fatmir Plakiqi në vazhdimësi është kërkuar që të përditësohet një udhëzim administrativ që rregullon organizimin e punës në Programin për shërim jashtë vendit, por asnjëherë nuk ka ndodhur.

“Çdo vit janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë drafte finale për të rregulluar këtë Program. Ne kemi kërkuar që fillimisht të analizohet cilat diagnoza nuk kryhen në Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës dhe me një analizë të tregut brenda dhe jashtë Kosovës se sa do të kushtonte kjo diagnozë dhe me buxhetu saktë sa do të duheshin për t’i mbuluar këto diagnoza” – ka thënë Plakiqi.