Fadil Hysaj: Në vitet '60 jeta kulturore ka qenë shumë më e zhvilluar sesa sot

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet rrëfimi i regjisorit Fadil Hysaj.

Hysaj ka rrëfyer pjesë nga fëmijëria e tij dhe kontaktet e para me filmin e teatrin.

Teksa rrëfen historinë e tij, regjisori Hysaj ka folur për qytetin e tij të lindjes, Shtimen. Sipas tij, nëpër Shtime kanë kaluar civilizimet dhe ngjarjet duke qenë se andej kanë kaluar udhëtar për të shkuar në Shkup e Prishtinë.

Regjisori Hysaj ka thënë se si fëmijë çdo te premte kanë shikuar filma në kinemanë e cila ka udhëtuar nga qyteti i Ferizajt në Shtime.

“Prej Ferizajt ka ardhë kinemaja me një kombi, në vitet ’60. Çdo të premte ka ardhë dhe ne fëmija kemi shku me pa. Ka ardhur cirku, ka ardhur teatri kombëtar, Shtimja ka dhënë shfaqje, në vitet ’60 ka pasë jetë kulturore shumë më të zhvilluar se tash”, rrëfen Hysaj.

Për Hysajn ky ka qenë edhe kontakti i parë me filmin. Ndërsa me teatrin ai thotë se “ka rënë në kontakt” herë pas here kur Teatri Kombëtar ka luajtur shfaqje në Shtime.

Ai tutje ka thënë se çdo të premte i është dashur të gjejë një mënyrë që ta paguajë biletën për të parë filma.

Hysaj ka treguar një mënyrë se si e bindte gjyshin e tij që t’ia paguante biletën.

“Çdo të premte unë kam gjetur mënyrën si me shti gjyshin me ma pagu biletën, shpeshherë i kam thanë e kam harxhuar fletoren. M’i ka dhanë paratë dhe kam shku me shikua filmin. Ka pasur filma të luftës, historik, erotik, të gjitha llojet e zhanreve”, ka thënë ai.

Përveç kinemasë, regjisori Hysaj ka thënë se në atë kohë ka shikuar edhe shfaqje të cirkut, ansambël e kor.

“Shtimja ka pasur ansambël, ka pasur kor që ka marrë pjesë në ish Jugosllavi dhe ka fituar çmime”, ka thënë ai.

Hysaj ka thënë se sot në qytetin e Shtimes ka teatër por në të nuk jepen shfaqje.

Sipas tij, ky teatër është infrastrukturalisht teatri më i mirë në Kosovë.

“Në Shtime ka teatër por shfaqje nuk ka. Infrastrukturalisht është teatri më i mirë në Kosovë, më i mirë se teatri Kombëtar por të cilin e kanë përdorur për fushata zgjedhore. Por nuk është përdorur ende për me bërë shfaqje”, ka thënë regjisori Fadil Hysaj.