Fadil Hysaj: Bullizmi nis qysh nga familja

Fadil Hysaj, profesor, ka thënë se bullizmi e ka prejardhjen qysh nga familja, ku një fëmije i jepet leksion se si kush duhet të jetë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se kjo gjë ndikon në shkatërrimin e identitetit të fëmijës.

“Secila shoqëri e ka një perjardhje paraprake, në një familje janë krijuar dy modele në rritjen e një fëmije ‘mos u bëjë si ky’ ose ‘ bëhu si ai’. Këtu prindërit e rrënojnë identitetin e fëmijës”, ka thënë Hysaj.

Sipas tij, ky fenomen nga familja bartet në shkollë e shoqëri.

“Nga familja është bartuar edhe në shkollë ky fenomen, ku nxënësit i përcaktohet se çfarë duhet të jetë”, shtoi Hysaj.

Tutje, ai shtoi se prej kur ka qenë fëmijë ka dëgjuar për terma të ndryshëm që u vihen personave që kanë ndonjë të metë, duke u nisur nga vetja.

“Si fëmijë e kujtoj kur nënës time i është thënë se ‘djali do qorrohet se u mbyt tu lexu’, deri në studime nuk kam pasë syze, kur i kam vendosë kanë filluar të më quajnë ‘qorr’. E njëjta ka ndodhur edhe për dikë që nuk ka pasë flokë, ose nuk ka ecur mirë, u janë referuar me terme dhe nuk janë thirrur me emër”, ka thënë Hysaj.

Hysaj komentoi edhe komentet denigruese që bëhen në rrjete sociale duke iu referuar edhe rastit të profesorit nga Vushtrria.

“Tani njerëzit jetojnë me një lloj paranoje se mos dikush po u gjen diçka dhe i bën horë publikisht. Në këtë shoqëri t’i thuash dikujt, ‘kjo që po bënë nuk është e denjë për një profesor’, është normale. Nëse nuk je imun ndaj dukurisë së bullizimit, mund të përfundosh shumë keq”, shtoi tutje Hysaj.

Ai tha se ka marrë shumë komente negative për një mendim që e kishte shprehur në rrjetin Facebook.

“Sot është e vështirë të dalësh me një koment në Facebook e të mos marrësh qindra komente. Nëse ti flet diçka që është në kundërshtim me konceptin e tyre, do të gjejnë diçka diku dhe do e bëjnë një storie”, tha ai.

“Unë njëherë kam thënë se nuk dua të më varrosin arabisht, nuk dua të kem vdekje arabe dhe nuk dua askush të më këndojë arabisht te varri. Për këtë i kam marrë diku 700 komente agresive, sharje dhe kam përjetuar shok se deri ku mund të të degradojnë”, ka thënë Hysaj.

Sipas tij edhe serialet që jepen në televizionet publike, shumica janë me përqeshje ndaj dikujt që ka të meta.

“Serialet që jepen në televizonet tona publike, ato me ligje të antikitetit janë të ndaluara, nuk guxon të denigrosh një njeri me të meta fizike apo mentale. Shumica e humorit është përqeshje e të metave te një person”, ka thënë Hysaj.