Erden Atiq lavdërohet që e shtruan me asfalt rrugën 400 metra për 3 ditë

Kryetari Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka renditur tri gjërat më të suksesshme që i ka realizuar gjatë 10 muajve mandat.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka përmendur asfaltimin e një rruge 400 metra për tri ditë.

“E kemi bërë shtrirjen institucionale sepse ka pasur tendencë nga qeverisja e kaluar me anashkalu këtë aspektin institucional, kanë operu si zyrë administrative. Me marrjen e mandatit i kam iniciu procedurat tu fillu prej simbolikave, vula, emërtimet zyrtare, i kemi larguar ato emërtimet si zyre administrative. Kemi bërë disa investime kapitale, bashkë me ministrinë e Infrastrukturës kemi shtruar rrugë në disa vende. Është shtruar një rrugë shumë e rëndësishme te Lagjja e Boshnjakëve, një rrugë 400 metra, një rrugë tëpër e dëmtuar. E kena asfaltu për tre ditë, na krahasojshin me Japoninë për kah intensiteti i punëve. Ka kriju impakt shumë të mirë, kena marrë lavdata prej terreni” – tha Atiq.

Bashkëpunimi me komunitetin serb është puna e tretë më e mirë sipas Atiq që ka bërë prej kur ka ardhur në krye të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Kemi pasë edhe më herët komunikime, po mundohemi në maksimum me pasë edhe transparencë edhe të gjitha por e rëndësishme për ne është që institucionin e Komunës me bo më të hapur për të gjithë dhe sa më të qasshëm për qytetarët, e normal sfidë kryesore ka qenë komuniteti serb” – ka thënë tutje Atiq.

Ai foli edhe për përbërjen e kabinetit të tij dhe tha se nënkryetarja e Komunës është nga komuniteti serb, po ashtu edhe Drejtoria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, kanë drejtorë nga ky komunitet.

“Nënkryetaren e Komunës e kemi emëru menjëherë ditën e parë që e kam marrë mandatin, jeton në Mitrovicë, ka përvojë në institucionet e Kosovës, në ATK, ka sfida që është nënkryetare, por ajo është stoike është e dhënë mas punës etj., është e përkushtuar të shtrijë bashkëpunimin me komunitetin e vet. Edhe Drejtoria e Arsimit edhe ajo e Shëndetësisë kanë drejtorë të komunitetit serb” – tha tutje ai