Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Eman Rrahmani: Emrat për bord të BQK-së shumë shpejt do të vijnë në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, kanë thënë se zgjedhja e bordit të Bankës Qendrore të Kosovës është në proces.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se brenda dy javësh mund të vijnë emrat në Kuvend.

“Ky është një proces që nga mandati i kaluar pasi edhe në Kuvend kanë ardhur emrat, por për shkak të mungesës së numrave nuk kanë kaluar tutje. Tani janë në proces dy konkurse që duhet të kalojnë përmes Kuvendit dhe besojmë që shumë shpejt, deri në dy javë, do vijnë në Kuvend emrat e të propozuarve”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani e quajti të pakuptimtë procesin ku janë sjellë edhe emra të punëtorëve të Bankës apo vartës të guvernatorit, për të cilën thotë se si deputet kanë mundësinë ta parandalojnë.

“Procesi i rekrutimit deri te sjellja e emrave në Kuvend bëhet përmes Bankës Qëndrore të cilët e shpallin edhe konkursin dhe vlerësimin fillestar të aplikacioneve. Janë sjellë disa emra, ka prej atyre që edhe kanë qenë punëtorë të bankës, vartës të guvernatorit dhe në një farë mënyrë është proces i pakuptimtë, ne si deputet e kemi mundësinë që ta parandalojmë”, shtoi Rrahmani.