Hysen Durmishi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Durmishi tregon pse i nënshkruan kontratat e prokurimit

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi, ka thënë se i ka autorizimet e ministrit për të nënshkruar kontrata të prokurimit.

Në intervistën në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Durmishi tha se i ka autorizimet për ish–Ministrinë e Infrastrukturës dhe për të gjitha departamentet e kësaj Ministrie që kanë qenë në të kaluarën. Sipas tij, ministri Liburn Aliu dhe zëvendësministrja Linda Çavdarbasha merren me mjedis.

“Natyrisht që ministri merret edhe me pjesën e ish-ministrisë së Infrastrukturës, por i kam autorizimet që me nënshkru çdo dokument. Sigurisht që ligji e lejon me m’i dhanë ministri autorizimet. Posti i zëvendësministrit është një post që emërohet nga kryeministri dhe që nuk ka asnjë përshkrim të detyrave të tij, një zëvendësministri, nëse nuk i jep detyrat ministri, atëherë ai nuk e ka asnjë punë”, deklaroi Durmishi.

Ai tha se në rastin e tij është pak më ndryshe pasi i ka autorizimet me vendim prej ministrit.

“Në rastin tim është ndryshe sepse unë i kam autorizimet me vendim prej ministrit për të gjitha departamentet e ish-Ministrisë së Infrastrukturës dhe për zhvillimin e politikave, nënshkrime që lidhen më këto depertamente”, tha ai në invervistë.