Dukagjin Lipa tregon si u arrit marrëveshja për pronën e Festivalit "Sunny Hill"
Organizatori i Festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka thënë se marrëveshja për pronën për Festivalin në fshatin Bërnicë të komunës së Prishtinës është arritur në formë shumë normale.
Ai theksoi se e njëjta kontratë që parasheh 99 vite dhënie të pronës në shfrytëzim është nënshkruar, gjë që është votuar 100% nga Asambleja Komunale.
“Me kryetarin e Prishtinës dhe ministrin e Kulturës, e kemi parë që kontrata ekzistuese është e njëjta që ishte votuar edhe më herët për të cilën në kohën e Shpendit 100% është votuar. E njëjta kontratë, e njëjta Asamble dhe prapë votohet 100%. Toka është dhënë për 99 vjet, Komuna çdo 20 vjet ka të drejtë të bëjë vlerësim dhe mund edhe të na largojë. Ne kemi kohë 5 vite për të gjetur diçka të re, pra çdo 20 vite vazhdohet kontrata” – bëri të ditur Lipa.
Lidhur me zvarritjen me procedura burokratike për pronën e Festivalit në vitin 2022 që kishte shtyrë organizatorët të çojnë edicionin në Shqipëri, Lipa tha se problemi ka qenë për arsye logjistike dhe infrastrukturore.
“Zhvendosja në Tiranë më 2022 ka qenë një lëvizje që s’kemi pasë qare pa e bërë për shkak të audiencës. Njerëzit patën blerë biletat dhe duhej të mbahej, ka qenë për arsye logjistike dhe infrastrukturore”- shtoi ai
Lipa më tej theksoi se nuk do që Festivali të politizohet.
“Ai i takon Kosovës dhe të rinjve. I respektojmë institucionet pa marrë parasysh kush ulet në ato karrige”- shtoi me tej Lipa.
Në vitin 2022 Ministria e Pushtetit Lokal por edhe asamblistë nga opozita kishin shkaktuar zvarritje të procedurës për dhënie në shfrytëzim të 17 hektarëve të pronës komunale në Bërnicë për Festivalin, gjë që kishte shtyrë organizatorët të kërkojnë zgjidhje në Tiranë. Pas shumë kritkave, Festivali u rikthye në parkun ‘Gërmia’, derisa pati edhe një edicion të dytë në Tiranë.
Derisa në vitin 2023 Festivali nuk u mbajt pasi organizatorët ishin në përgatitje në terrenit në lokacionin në Bërnicë.
“Sunny Hill” është festivali më i madh ndërkombëtar i muzikës që organizohet në Kosovë nga viti 2018.
Festivali nis nesër, më 25 korrik dhe zgjat deri më 28 korrik.
Anulohet festivali ‘Sunny Hill’, nuk do të mbahet në Prishtinë