Dosja e pronës që ka dy blerës, njëri pronar me letra e tjetri me posedim
Emisioni Kallxo Përnime, i transmetuar më datë 07.07.2024, ka shfaqur pretendimet e palëve lidhur me një pronë në Rahovec.
Prona rreth 18 ari në qytetin e Rahovecit, e cila ishte shitur në vitet e 70-ta nga familja Isma tek familja Shehu dhe familja Ajeti nuk e ka të zgjidhur statusin se kujt çka i takon as pas 45 viteve.
Të dy familjet në Rahovec pretendojnë se e kanë blerë të njëjtën pronë në vitet e 70-ta.
Musli Isma thotë se familjarët e tij pronën e kanë shitur tek dy familjet duke e ndarë në dy pjesë. Familja Ajeti sot pronën prej 10 ari e 64 metra katrorë e ka mbi emër të saj pasi e ka përkthyer, por familja Shehu në këtë pronë ka të ndërtuar shtëpi qysh nga viti 2001, pjesa tjetër e pronës prej 8 ari ka mbetur e lirë. Ndërsa padia për lirim të pronës ishte bërë vetëm në vitin 2021. Çështja se kujt i takojnë 10 ari e kujt 8 ari tokë pritet të zgjidhet në gjykatë.
Ardiana Ajeti, pronën prej 10 ari e 64 metra katrorë e ka trashëguar nga babai i saj, por në pronën të cilën ajo ka tapi janë të ndërtuara dy shtëpi.
“Në vitin 1979 paraardhësit e mi e kanë ble një pronë në Rahovec. Babi im e ka përkthyer në gjykatë në vitin 2008. Unë e kam trashëguar atë pjesë dhe jam bo trashëgimtare e saj disa vite më vonë. Në vitin 2021 e pashë që në atë pronë janë të ndërtuara dy shtëpi të familjes Shehu dhe më pas kam bo padi për lirimin e saj e cila sot gjendet në gjykatë” – tha Ajeti.
Padia në gjykatë është kundër Masar Shehut dhe një familjare tjetër të tij. I kontaktuar nga hulumtuesit e emisionit, Shehu ka thënë së është në pronën e tij, atë pronë të cilën e ka blerë vite më parë.
“Jo bre shoki po çfarë, s’kam punë unë me gazetarë me kurrgjë, unë jam në pasurinë time, unë e kam ble e kam ndërtu shtëpinë në tokën time e kam ndërtu. Nuk është e vërtetë ajo jo, unë jam në gjyq kur del puna e gjyqit ka punë këtu gjykata ka punë”- theksoi Shehu .
Çështja në fjalë tashmë është në gjykatë dhe aty pritet të saktësohet se cilën pronë e shiti shitësi dhe për cilën pjesë u paguan paratë. Edhe avokati i Shehut, Rexhep Kabashi ka thënë se familja Shehu e ka blerë pikërisht pronën ku i kanë të ndërtuara shtëpitë.
“Në bazë të deklaratave dhe shkresave ku unë në cilësi të mbrojtësit kam bërë kundërpadi, vërtetohet se familja Shehu e ka blerë atë pronë dhe e ka në posedim, në vitin 2000 kanë ndërtuar edhe 2 shtëpi dhe nuk janë penguar nga askush. Padia është bërë nga Ardiana vetëm në vitin 2021”- thotë Kabashi.
Musli Isma, është anëtar i familjes që i ka shitur aty rreth 18 ari pronë, ai thotë se të dy familjet e kanë blerë pronën, por kur është përkthyer janë ndërruar numrat e parcelës.
“Ne krejt atë pronë diku rreth 18 ari e disa metra e kemi shitur tek këto familje por babai i Ardianës kur e ka përkthyer i ka ndërruar numrat dhe nuk e ka përkthyer pronën e lirë, por pronën ku ne ia kemi shitur familjes Shehu e ku ata i kanë të ndërtuara shtëpitë nga paslufta”-thotë Isma.
Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Rahovec është duke e trajtuar padinë të cilën Ardiana Ajeti e ka bërë në vitin 2021 kundër familjes Shehu, e këta të fundit kanë bërë kundër-padi. Sot kjo lëndë gjendet në Gjykatën e Rahovecit duke u trajtuar.
“Paditësja A.A., ka parashtruar padi ndaj të paditurve M.Sh. dhe F.Sh. për “Dorëzim dhe lirim të paluajtshmerisë” më datën 27.05.2021, ndërsa të paditurit kanë ushtruar kundërpadi. Në këtë çështje është mbajtur seanca përgatitore më datën 28 shtator 2023 ku është caktuar marrja e ekspertizës nga lëmi i gjeodezisë dhe lëmi i ndërtimtarisë. Seanca e daljes në vend është mbajtur më datën 22 nëntor 2023, ndërsa kur Gjykata e ka caktuar mbajtjen e seancës së shqyrtimit kryesor për datën 21 mars 2024, paditësja A.A., nëpërmjet përfaqësueses së saj të autorizuar e ka zgjeruar padinë edhe ndaj dy (2) personave të tjerë, që nuk ishin pale në këtë çështje, si rezultat i asaj që në ekspertizën e gjeodezisë kanë dalë se një pjesë të pronës që ajo pretendon se është paditëse në posedim faktik, janë edhe dy persona tjerë përveç të paditurve-kundërpaditësve.” – thuhet ne përgjigjen e gjykatës.
Një shitblerje e realizuar në vitin 1979 është vendosur në tavolinën e gjykatës tek në vitin 2021. Trajtimi i saj është bërë barrë për sistemin e drejtësisë për shkak se palët nuk nënshkruan kontrata për shitblerjet që po i realizonin. Në ndërkohë lindën edhe pretendime të tjera. Përpos regjistrimit të pronës në zyrat e Kadastrit të Rahovecit, pretendohet se pati ndërhyrje të pa-autorizuara nga ana e stafit.
“Në vitin 2020 hy në gjeoportal dhe e shoh se kufijtë e pronës që unë jam pronare me letra janë prekur dhe aty figurojnë vetë 5 ari e gjysmë dhe jo 10.64 sa do duhej të jenë. Shkoj në komunë me kërku sqarime dhe aty më tregojnë se zyrtari Muharrem Metbala ka ndërhy në pronë por ndërhyrja vërtetohet edhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës” – shton Ardiana.
Ish-zyrtari i Kadastrit në Komunën e Rahovecit, Muharrem Metbala lidhur me pretendimet se ka ndërhyrë në vijat kadastrale thotë se ka pasur kërkesë qysh në vitin 1997 nga pronari i atëhershëm.
“Unë e kam kryer atë proces krejt, nuk ju ka marrë prona kurrgjë, vetëm se është bë ndarja e parcelave, ajo ka dashtë me kthy në gjendjen e mëparshme, është kthye edhe është kry puna. Unë e kam kry atë proces edhe me prokurori jam liru. Jo, parcela prona është prekë, është bë ndarja se atë pronë unë e kam bë ndarjen në 1997, edhe plus asaj unë atë ndarje e kam zbatu në terren e kam futur në sistem”- ka thënë ish-zyrtari Metbala, i cili tash ka dalë në pension.
Ardiana Ajati çështjen e ndërhyrjes ne pronën që ajo është pronare me letra e ka paraqitur në Polici, por prokurorja Dëshirë Jusaj e ka mbyllur këtë rast sepse nuk ka gjetur elemente të veprës penale.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se në bazë të pretendimeve të paraqitur nga pala A.A., ndaj M.M., nga ana e Prokurorit të Shtetit, janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast, dhe pas analizimit të provave të nxjerra lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit, ka marr raport për mbylljen e rastit, pasi që është konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale në atë çka ka paraqitur pala A.A. ndaj M.M”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës.
Në raportin për mbylljen e rastit nga prokurorja Dëshirë Jusaj ndër të tjera shkruhet se komuna ka pasur një kërkesë për ndryshim të kufijve në vitin 1996 nga pronari i atëhershëm dhe kjo është arsyeja pse në këtë çështje nuk ka pasur vepër penale.
“Ashtu që pas shqyrtimit të kallëzimit penal dhe shkresave të lëndës, ky organ vjen në përfundim se ne veprimet e të dyshuarit Muharrem Metbala nga Rahoveci, nuk ekziston asnjë dyshim i bazuar mirë se ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet…si dhe parcela nuk ka pësuar ndryshime në dëm të ankueses sa i përket hapësirës ku me ndryshimin/ korrigjimin paraprak të parcelës ankueses i janë shtuar 0.00.12 ha, po qe prapë i është kthyer ne gjendjen e mëparshme, e që ky ndryshim ishte bërë më kërkesë në vitin 1996 nga pronari i atëhershëm” – thuhet në raport.
Në rastet kur prokuroria nuk gjen shkelje, por zyrtarët kanë realizuar ndërhyrje si kjo e konstatuar në këtë rast atëherë komunat mund të iniciojnë procedura disiplinore.
Drejtori i Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Rahovecit, Afrim Oruqi thotë se nuk ka pasur kurrfarë procedure për ish-zyrtarin Metbalaj.
Ndërhyrja në korrigjimin apo ndryshimin e vijave kufitare në një pronë edhe sipas prokurores se rastit ka qenë në harmoni me kornizën e punës. Sot kjo çështje ka mbetur në dorën e gjyqtarit që duke dëgjuar edhe dëshmitaret e rastit, më pas të tregojë në fund se kujt i takon prona prej 10 ari e 64 metrave katrorë, e kujt i takojnë 8 ari të tjerë.