FSK - Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

‘Defender Europe-21': Si i bëri ballë FSK-ja sulmeve të njëpasnjëshme të armikut në skenarin 'Kodra e Shulanit'

Sonte në KALLXO.com dhe RTV Dukagjini po transmetohet emisioni #KallxoForca, episodi “Kodra e Shulanit” në kuadër të ushtrimeve të “Defender Europe 21”.

Ky është episodi i tretë i serisë dytë të emisioneve #KallxoForca i cili ka mbuluar “Europe Defender 21”, ushtrim fushor i ShBA-së, NATO-s dhe ushtrive të tjera aleate.

Skenari fushor i këtij ushtrimi është hipotetik, i trilluar dhe shërben vetëm si bazë për një ushtrim të thjeshtë ushtarak.

Në skenarin e sotëm, sipas informatës së inteligjencës, një grup i vogël i forcave armike ka arritur të infiltrohet dhe t’i afrohet bazës së komunikimit, duke tentuar që ta shkatërrojë komunikimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mirëpo, falë përgatitjeve, pikave vrojtuese dhe syçeltësisë së ushtarëve në detyrë, armiku është diktuar shpejtë.

Për ta komplikuar edhe më shumë situatën, derisa FSK është duke e pastruar njërin shpat të malit, në anën tjetër, pritet zbarikimi i një helikopteri me furnizim dhe mbështetje logjistike.

Derisa në njërin shpat terreni është duke u pastruar, në shpatin tjetër duhet siguruar një terren të përshtatshëm dhe të parrezikshëm për aterim të helikopterit.

Sipas skenarit hipotetik në episodin e sotëm, Kompania 1A ka pasur për detyrë sigurimin e pikës kryesore për komunikim, sigurimin e zonës për aterim të helikopterit me furnizim si dhe gjatë tërë kohës ta bëjë sigurimin e zonës nga depërtimet eventuale të Forcave Speciale Okasus.

Skenari i këtij ushtrimi kishte paraparë disa sulme të njëpasnjëshme të armikut, të organizuara në grupe të vogla deri në 15 persona të armatosur mirë. Sulmet janë dëbuar, pikat janë mbrojtur dhe siguruar, terreni është pastruar, por jo pa humbje.

FSK sot ka pasur një ditë të vështirë dhe sfiduese. Gjithnjë sipas skenarit të trilluar, Kompania 1A e ka humbur një pjesëtarë gjatë luftimeve të sotme, ndërsa armiku ka përfunduar me 8 të vdekur. Krejt kjo nën vëzhgimin dhe kontrollin e rreptë të FSK-së dhe NATOs.

Detyra e re për kompaninë A fillon nesër, jo më vonë se në orën 5. Për të qenë të gatshëm në atë orar, kompania A duhet të zgjohet jo më vonë se në ora 2 e mëngjesit.

Forcat e Sigurisë së Kosovës për këtë ushtrim janë pajisur me disa pajisje shtesë të cilat i kanë të vendosura në përkrenare dhe prazmore. Këto pajisje janë senzorë drite, të cilat reagojnë kur qëllohen nga drita laserike e armëve të cilat përdoren gjatë trajnimit, për të simuluar saktë se ai apo ajo ushtare janë qëlluar nga armiku, janë plagosur apo janë vrarë.

Armët nuk përdorin municion luftarak, por në vend të predhave lëshojnë rreze të shkurta drite, duke e bërë kështu ushtrimin shumë real ngase në rast kur dikujt i qëllohen senzorët në kokë apo trup, arma e saj ose e tij deaktivizohet dhe ajo ose ai duket të sillen sikur janë ose të plagosur ose të vdekur dhe jashtë ushtrimi.

“Europe Defender” është ushtrimi më i madh ku ka marrë pjesë Kosova dhe FSK, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetet e saj ushtarake.

KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në, në vazhdimësi ka përcjellë aktivitetet e pjesëtarëve të FSK-së dhe përmes një serie të emisioneve do t’i sjellë ekskluzivisht pamjet dhe detajet nga terreni.

Seria “Java e FSK-së”, do të zgjasë nga 25 korriku deri më 28 korrik.