FSK - Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

‘Defender Europe- 21’, si e organizuan ushtarët e FSK-së skemën e 'sulmit' - VIDEO

Sonte në KALLXO.com dhe RTV Dukagjini po transmetohet emisioni #KallxoForca, episodi “Sulmi” në kuadër të ushtrimeve të “Defender Europe 21”.

Ky është episodi i dytë serisë dytë të emisioneve #KallxoForca i cili ka mbuluar “Europe Defender 21”, ushtrim fushor i ShBA-së, NATO-s dhe ushtrive të tjera aleate.

Seknari fushor i këtij ushtrimi është hipotetik, i trilluar dhe shërben vetëm si bazë për një ushtrim të thjeshtë ushtarak.

Sipas këtij skenari hipotetik, shteti hipotetik të cilin për nevoja të këtij ushtrimi e kanë quajtur Ocassus, ka kapacitete të mëdha luftarake dhe ekonomike dhe këto i shpërfaqë vazhdimisht. Gjatë muajit Maj, gjithmonë sipas skenarit hipotetik, një Aeroplan luftarak i Ocassus rrëzohet në lindje të Evropës.

Njëkohësisht një Anije luftarake e Ocassus eksplodon në bregdetin e Bullgarisë. Ocassus fajëson shtetet e Evropës Lindore, Bullgarinë dhe Rumaninë për këto ngjarje dhe me Njësite e veta Speciale të forcave tokësore okupon një regjion të shtetit tjetër, të cilin për nevoja të këtij ushtrimi fushor, e kanë quajtur Otso.

Sipas ushtrimit fushor Defender 21, Forcat Speciale të Ocassus kanë hyrë dhe janë vendosur edhe në pjesën perëndimore të Kosovës ku po bëjnë rikonicion të zonës dhe po ndikojnë në popullatën lokale në mënyrë që të destabilizojnë zonën.

Forcat e Sigurisë së Kosovës për këtë ushtrim janë pajisur me disa pajisje shtesë të cilat i kanë të vendosura në përkrenare dhe prazmore. Këto pajisje janë senzorë drite, të cilat reagojnë kur qëllohen nga drita laserike e armëve të cilat përdoren gjatë trajnimit, për të simuluar saktë se ai apo ajo ushtare janë qëlluar nga armiku, janë plagosur apo janë vrarë.

FSK – Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

Armët nuk përdorin municion luftarak, por në vend të predhave lëshojnë rreze të shkurta drite, duke e bërë kështu ushtrimin shumë real ngase në rast kur dikujt i qëllohen senzorët në kokë apo trup, arma e saj ose e tij deaktivizohet dhe ajo ose ai duket të sillen sikur janë ose të plagosur ose të vdekur dhe jashtë ushtrimi.

FSK – Ushtrimi Fushor Europe-Defender 21 Foto: KALLXO.COM

Pak para nisjes për t’i bërë ballë armikut, secili ushtar kryen inspektimet e nevojshme për të evituar çfarëdo situate të paplanifikuar e cila do të mund të kompromitonte realizimin e detyrës.

Gjithnjë sipas skenarit hipotetik, gjatë lëvizjes konvoji bie në pritë. Forcat armike kanë arritur që pa u vërejtur t’i afrohen rrugës kryesore dhe ta sulmojnë konvojin nga një pikë mjaft superiore për nga fuqia e zjarrit.

Skenari i ushtrimit do t’i caktojë detyrat dhe do t’i sygjerojë mënyrat se si të tejkalohen pengesat që paraqiten. Skenari është i përpiluar edhe me befasira për njësitë të cilat marrin pjesë në ushtrim.

Si përfundim, ushtrimi hipotetik është kryer me humbje minimale dhe me diku pak më shumë se gjysma e municionit të planifikuar. Pjesa më e madhe e armikut është asgjësuar, ndërsa pjesa e mbetur është tërhjekur nga zona e zjarrit.

“Europe Defender” është ushtrimi më i madh ku ka marrë pjesë Kosova dhe FSK, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetet e saj ushtarake.

KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në, në vazhdimësi ka përcjellë aktivitetet e pjesëtarëve të FSK-së dhe përmes një serie të emisioneve do t’i sjellë ekskluzivisht pamjet dhe detajet nga terreni.

Seria “Java e FSK-së”, do të zgjasë nga 25 korriku deri më 28 korrik.