Cilësia e përkthimit, zv/avokatja e Popullit: Ka raste kur dallojnë interpretimet nga shqipja në serbisht

Zëvendësavokatja e Popullit, Maria Raduloviq, ka thënë se në institucionet e Kosovës problematikë është cilësia dhe besueshmëria e përkthimeve në gjuhë zyrtare.

Raduloviq në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se te zgjedhja e Avokatit të Popullit, për të njëjtën gjë jepen interpretime të ndryshme.

“Sa i përket besueshmërisë, kur jap ndonjë deklaratë formale dhe joformale, unë përdor shembullin se në Kushtetutën e Kosovës, ku ceket se Institucioni i Avokatit të Popullit është kategori e pavarur kushtetuese – te zgjedhja e Avokatit të Popullit në versionin në gjuhën shqipe thotë ‘me shumicë të thjeshtë’ ndërsa në serbisht thuhet ‘me dy të tretat”, tha ajo.

“Për saktësisht të njëjtën gjë, versioni në gjuhën serbe thotë se për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nevojiten dy të tretat e deputetëve, ndërsa versioni në gjuhën shqipe thotë shumica e të gjithë deputetëve”, shtoi Raduloviq.

Sipas saj, shembuj të tillë ka nëpër shumë interpretime të institucioneve.

“Do t’ju jap një shembull tjetër; në Kodin Penal disa vepra penale dënohen në një version me dënim të mandatuar, pra me gjobë, ndërsa në versionin tjetër me burgim. Dhe pastaj, varësisht prej… të mos them sipas dëshirës, por gjithsesi është shfrytëzuar versioni i caktuar”, tha ajo.

Raduloviq theksoi se problemi qëndron te mospërkthimi dhe cilësia apo besueshëmria e tij.

“Edhe njëherë po them që çështja është te prania, mosprania e përkthimit, cilësia e përkthimit dhe besueshmëria”, theksoi më tej Raduloviq.

Zëvendësavokatja e Popullit tutje shtoi se gjatë monitorimit të kryer nga institucioni ku punon kanë vërejtur se në faqe të qeverisë e ministrive ka mungesë informacioni.

“Ajo që bëjmë edhe në monitorimin e administratës është se në ofrimin e informacionit në faqet zyrtare të internetit, konkretisht në faqet e Qeverisë dhe ministrive – ka mungesë të qartë të informacionit në ndonjërën nga gjuhët. Në nivelin lokal, situata shpesh është e tillë”, shtoi ajo.

Tutje, ajo theksoi se nuk ka as raportime për shkelje të mundshme në respektimin e ligjit për gjuhët edhe pse, sipas saj, gjendja reale është ndryshe.

“Para se të vija në emision, kërkova nga kolegët e mi që janë përgjegjës për statistikat për numrin e rasteve që lidhen me të drejtën e përdorimit të gjuhës për vitin 2022 – dhe nuk kishim asnjë rast. Numri i rasteve të raportuara të shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut nuk pasqyron gjendjen reale të punëve”, ka thënë Raduloviq.

Sonte në Emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet debati për edukimin në gjuhën amtare.