Prishtina naten

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Çfarë pune është duke bërë Prishtina për t’iu kundërvënë ndryshimeve klimatike?

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kryeqyteti është duke punuar në drejtim të kundërvënies ndaj ndryshimeve klimatike.

Ai ka thënë se Prishtina ka një agjendë të tërë të gjelbër të kombinuar me Agjendën Evropiane 2030.

“Ne kemi propozuar ligje dhe rregullore që lidhen me ndryshimet klimatike dhe vet qyteti se si lidhet qendra e qytetit me rrethinën” – ka thënë Rama.

Sipas tij, një gjë e tillë është bërë duke e shtyrë agjendën e këmbësorëve të brendshëm dhe mjetet alternative të lëvizjes siç janë e-skuterët dhe biçikletat dhe gjithashtu transportin publik.

Rama ka treguar se nga qeverisja lokale është duke u punuar për ujërat e zeza. Ai ka thënë se janë duke u ndarë kanalizimet me ujërat natyrore.

“Gjithahstu, duke ridefinuar qendën e qytetit duke ndryshuar materialet e tanishme, duke hequr qafe asfaltin dhe duke krijuar më shumë materiale të tjera” – ka thënë Rama.

I pari i Prishtinës ka treguar se kjo punë po bëhet me qëllim që të mos të mbingarkohet sistemi i kanalizimit, vërshimet dhe që Prishtina të ketë sistem më të mirë brenda qytetit dhe zonat urbane.

Rama po ashtu ka treguar se janë duke e analizuar se nga vjen uji, si grumbullohet ai kur vjen në qytet, kjo pasi që Prishtina ka pasur 2-3 vërshime të mëdha në qytet si rezultat i mbizhvillimit.

Pjesë e agjendës, Rama ka thënë se është edhe mbjellja e drunjve.

Sipas tij, e tërë kjo lojllojshmëri ekologjike e intervenimeve ndihmon Prishtinën me strategjinë për të zbutur problemet e ardhshme të lidhura me ndryshimet globale klimatike.

Ky debat është realizuar me bashkëpunimin e #KallxoPernime me Manifesta.