Buzhala: Limiti i prodhimit të energjisë ndodh që të mos dhunohet rrjeti

Limiti i prodhimit të energjisë deri në 100 kilovatë, sipas Viktor Buzhalës nga KEDS-i, ndodh me qëllim që të mos dhunohet rrjeti.

Kështu ka thënë Buzhala në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për krizën energjetike dhe energjinë diellore.

“Me e ndreq rrjetin vetëm për atë investitor që ai po don me prodhu për vëte a? Nuk ka logjikë kjo” – u shpreh Buzhala.

Ai tha se është duke u folur për konsumatorë që janë vetëprodhues dhe që energjinë elektrike e shfrytëzojnë vetëm për vete dhe jo për prodhim në treg.

“Një konsumator nuk mund të ketë kapacitete shumë më të mdhaja sesa shpenzimi. Prandaj, ekzistojnë disa limite” – tha Buzhala.

Sipas tij, kjo çështë është e njëjtë me komunikacionin.

“Nuk mundet secili shofer t’i caktojë rregullat në komunikacion. Shteti i cakton ato rregulla edhe mbikëqyrësi i atij sistemi sepse krijohet kaos” – tha ai.

Sipas Buzhalës, që të rregullohet rrjeti vetëm për një konsumator  nuk është e logjikshme sepse nuk mund të shpenzohen paratë e konsumatorëve tjerë që, sipas Buzhalës, t’i përshtaten secilit konsumator veçmas.

Mirëpo, investitorët e energjisë solare kanë kërkuar që ‘tavani’ për prodhimin e energjisë solare mos të jetë 100 kilovatë.

Bujar Guci, nga kompania “Unisolar” L.L.C, ka thënë se kufizimi i kapacitetit për prodhim të energjisë në 100 kilovatë po ndikon në investim dhe në shtije të energjisë elektrike nga ana e tyre.

Ai tha se nuk ka asnjë rregullore, të cilën e cakton Zyra e Rregullatorit të Energjisë, apo KEDS-i apo KOSST-i në Kosovë, që shkruan diku që deri në 100 kilovatë mund të bëhet këmbim. Guci ka thënë se rregullorja është e brendshme e KEDS-it.

“Ne kemi kërkuar nga zyra ligjore e ZRRE-së që dy-tre muaj me e-mail për rregulloren, e cila thotë deri në 100 kilovatë lejohet për me bo këmbim të energjisë” – ka thënë Guci.

Sipas tij, në tre apo katër muajt e fundit KEDS-i e ka ndryshuar edhe rregulloren për 100-kilovatëshin. Kjo, sipas Gucit, ka ndodhur pasi KEDS-it ‘nuk po i përshtatet më rregullorja e 100-kilovatëshit’.

Guci tregoi se këto rregullore po ndikojnë te kompanitë. “Na ndikon neve në shitje, në investimet që i bëjmë ne” – tha ai.

Kompania nga ai vjen, “Unisolar”,  deri tani ka instaluar 3 megavatë dhe pritet që të instalohen edhe të tjerë.

“Kemi instaluar 3 megavatë deri në fund të muajit shtator, po presim deri në fund të vitit edhe 2 megavatë të tjerë t’i instalojmë. Ashtu edhe i kemi edhe kontratat e nënshkruara” – tha Guci.

Ai tregoi se këto 5 megavatë për kompaninë e tyre janë vetëm për vetëkonsum. Sipas Gucit, ka sisteme të cilat nuk janë të paraqitura në ZRRE e as në KEDS fare.

Ai ka thënë se kjo është për arsye se janë në grupin tarifor 1/3, i cili, sipas Gucit, nuk lejon kyçjen apo shkëmbimin e energjisë elektrike me KEDS-in.

Besiana Qorraj-Berisha nga Departamenti i Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë ka thënë se ky kapacitet prej 100 kilovatësh për prodhim të energjisë nga vetëkonsumatoret do të rishikohet.

“Do të rishikohet ai pragu që është për 100 kilovatë kapacitet në mënyrë që të mos kufizohet me pasë mundësi edhe të shohim në të ardhmen se si do të vendoset” – tha Qorraj-Berisha.

Ajo tregoi se ky kapacitet është i vendosur nga ZRRE.