Buxhovi i del në mbrojtje ministrit Çeku për shtëpinë e Xhafer Devës (VIDEO)

Historiani Jusuf Buxhovi e ka quajtur të drejtë restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, dhe i ka dalë në mbrojtje ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ai ka thënë, gjatë intervistës në emisionin “KallxoPernime” se ambasadori gjerman gaboi me vlerësimin e tij rreth planeve për restaurimin e këtij monumenti.

Sipas tij, monumenti nuk ka të bëj me Xhafer Devën, por me vlerat që bartë monumenti.

Për debatin e ngritur për këtë monument, Buxhovi ka fajësuar dhe institucionet kosovare për moskryerjen e obligimeve të tyre ndaj sovranitetit të shtetit.

“Pse, ambasadori gjerman e mori pa të drejtë fjalë dhe rolin e guvernatorit që t’ i tregojë Kosovës se çka mund të bëj dhe çka të bëj, tregon për defektet me të cilat po jeton shteti i Kosovës, pasi politika e saj nuk ka qenë në gjendje që realiteti e saj ta pasqyrojë në të gjitha fushat edhe në raport me aleatët”, ka thënë ai në emisionin “KallxoPernime”.

Ndërsa Buxhovi i ka quajtur të pafaktuara pohimet se Deva ka marrë pjesë në ndonjë gjenocid qoftë ndaj komunistëve apo hebrenjve.

Sipas tij, fashizmi shkaktoi shkatërrimin e (Mbretërisë) Jugosllavisë e më këtë edhe projektet për shpërnguljen e shqiptarëve nga viti 1918.

“Popullata e thjeshtë, gjermanët i pritën si çlirimtarë, sepse së pari e ka heq pushtuesin serb, e ajo që është më e rëndësishme e ka kthyer arsimin në gjuhën shqipe, institucionet dhe flamurin shqiptar, po flas për Kosovës”, ka thënë ai.

Të hënën, ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, përmes një reagimi në Twitter shprehu shqetësimin e tij lidhur me planet e MKRS për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës. Sipas Rohd, Deva ishte një kolaboracionist dhe bashkëpunëtor i nazistëve gjermanë.

Pas reagimeve nga ambasadori dhe debatit që pasoi, UNDP-ja dhe BE-ja pezulluan punën për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës.

Por, të mërkurë gjatë një konference për media, Hajrulla Çeku, ministër i MKRS-së, pohoi se nuk do të hiqet dorë nga restaurimi i shtëpisë së Devës, dhe i ftoi partnerët ndërkombëtarë që të rishikojnë qëndrimet e tyre.