Borxhin mbi 30 milionë euro, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore i tepron buxheti

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri dhe ish-drejtori i këtij institucioni, Fatmir Plakiqi, kanë pasur debat të ashpër rreth teprimit të mjeteve të buxhetit të Fondit.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Plakiqi ka thënë se suficiti i mjeteve tregon menaxhim të dobët.

“Thotë i kem borxh 30 milionë, por na kanë shku mjetet suficit, e ke mujtë me pagu borxhin” – tha Plakiqi.

Ndërsa u.d. drejtori, Bujar Kaçuri, ka thënë se ato mjete kanë shkuar në kuletën e shtetit.

“Nuk je ti në pozicion me ma vlerësu menaxhimin. As s’ka lidhje përvoja jote. Edhe nuk është ‘fer’ se po ta dija që Plakiqi është në debat unë nuk do të merrja pjesë” – ka thënë Kaçuri.

Ai ka shtuar se gjatë verifikimit të lëndëve (të pacientëve) nga ana e bordit drejtues janë vërejtur një mori shkeljesh, ka pasur rritje të çmimeve, mosrespektim të kritereve që rrjedhin nga udhëzimi administrativ, e të cilat janë evidentuar për hetim në Polici.