Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berjani: Supermarketet po abuzojnë me çmimet e produkteve ushqimore

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” se supermarketet në vend janë duke abuzuar me çmimet e produkteve.

Pasi siç thotë ai, nuk është e vërtetë që shkaku i rritjes së çmimit të derivatëve kanë pësuar edhe ato ushqimore.

“Sa i përket çmimit të naftës, sot në Kosovë sillet ndërmjet 1.19 – 1.20 euro dizeli, benzina 1.23 deri në 1.30. Sa i përket çmimeve në rajon, ne jemi më të lirët në regjion. Në Shqipëri një litër dizel sillet 1.25 euro kurse benzina 1.50. Ndërkaq Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi janë më shtrenjtë, përveç Maqedonia e Veriut që i ka taksat për dizel 44 centë më të ultë kurse benzinën e ka sikurse ne. Sa i përket shportës së qytetarëve, kanë thanë më herët se shkaku i derivateve janë rritur, na u ka imponu edhe rritja. Kjo nuk është e vërtetë. Mendoj se marketet e mëdha janë duke abuzuar me produktet ushqimore. Rasti konkret në vitin 2020 e kemi pasur çmimin e naftës 75 centë kurse 80 dizeli”, ka thënë Berjani.

Ai përmend rastin se edhe në vitin 2019 ka qenë çmimi më i lartë por që ka zgjatur vetëm një javë, por shton se marketet nuk i zbritën çmimet anise çmimi i derivatëve u ul.

“Për dhjetë vitet e fundit, çmimi më të lartë nuk kemi pasur. Çmimi më i lartë ka qenë edhe në kohën e ish-kryeministrit Haradinaj, ka qenë 1.28 euro dizeli, por këta ta ka imponu OPEC (Organizata e Shteteve Naftë-Eksportuese). Ajo ka zgjatur vetëm një javë, ata e kanë ulur çmimin por nuk e kanë ulë marketet. Tash i kanë rritur çmimet, derivatet është një rënie e lehtë gjatë javës së ardhshme është paralajmëruar, por a do të ulen edhe çmimet në markete. Këto nuk ulen”, tha Berjani duke kërkuar nga Oda Ekonomike që të flasë se marketet po abuzojnë me çmime.

Në “KALLXO Përnime” sonte po diskutohet për rritjen e çmimeve. Të ftuar në emision janë Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, Sakip Imeri nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Ruzhdi Kurtishaj nga Shoqata e Transportit Rrugor.