Fadil Berjani, Shoqata e Naftarëve të Kosovës

Berjani: Çmimet e naftës sipas gjasave do të rriten deri në 1.60 euro

Rritja e çmimeve të naftës, të energjisë elektrike, produkteve esenciale, ushqimit dhe shërbimeve tjera, është tema e debatit në emisionin e sontëm “Kallxo Përnime”.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar se sipas gjasave çmimi i naftës do të shkojë deri në 1.6 euro.

“Sa i përket çmimit të naftës a do të ketë  shanse me u zbrit apo me u rritë, më të mëdhaja janë shanset që të rritet sesa të bjerë. Sipas gjasave do të shkojë edhe deri në 1.6 euro”, ka deklaruar Berjani.

“Çmimin e përcakton berza por, sipas mendimit tonë dhe sipas trendit mundet me qenë deri në javën tjetër”, ka shtuar ai.

Berjani ka shpjeguar se si qëndrojnë çmimet e naftës dhe benzinës aktualisht në Kosovë.

“Sot çmimet e naftës sillen nga 1.25 euro deri në 1.32 euro, ndërsa benzina 1.27 deri në 1.35 euro. Për tre muaj kemi pasur rritje të derivateve, asnjë zbritje. Çmimi furnizues sot është 1.19 euro. Para dy ditëve ka qenë 1.20 euro”, ka thënë Berjani.

Ndërkaq ai ka theksuar se Kosova ka çmime më të lira të derivateve në krahasim me vendet e rajonit, duke përjashtuar Maqedoninë e Veriut, e cila, sipas tij, e ka më lirë.

“Në rajon e kemi më së liri çmimin, përveç Maqedonisë së Veriut e cila e  ka naftën më lirë se ne”, ka deklaruar Berjani.

Ai ka treguar se brenda 24 orëve në Kosovë hyjnë rreth 70 autobote me derivate.

“Brenda 24 orëve, derivate hyjnë rreth 70 autobote. Ma merr mendja që rezerva shtetërore për dy maj ka të mjaftueshme pa hy asnjë pikë derivate në Kosovë”, tha Berjani.

Tutje ai theksoi se në Kosovë ka shumë pika të karburanitit dhe se me ligjin e ri për naftën do të ketë kritere tjera për ndërtimin e një pompe.

“Me ligjin e ri do të ketë kriter që me u ndërtu pika e karburantit. Pika karburanti ka tepër në Kosovë. Veç te na ka kështu se nuk ka pasë kriter. Problemi kryesor për ndërtimin e pikës karburantit nuk ka pasur kriter”, shpjegon Berjani