Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha: Punëtorëve u shkelen të drejtat nga shteti dhe punëdhënësi 

Hulumtuesi dhe zyrtari ligjor në BIRN, Kastriot Berisha, gjatë emisionit “Kallxo Përnime” tha se punëtorët janë të shtypur edhe nga punëdhënësi e edhe shteti.  

Ai e përmendi rastin e punëtores që as pas 12 vjetëve nuk ka arritur të realizojë të drejtën e vet, sipas ligjit. 

Berisha tha se edhe kur punëtorët lëndohen në punë, nuk e marrin trajtimin e duhur nga gjykatat. 

“Ne kemi të dhëna të cilat tregojë që asnjë punëdhënës nuk është ndëshkuar me burg për shkelje të të drejtave të punëtorëve, edhe atëherë kur është vërtetur se lëndimet kanë ardhur si pasojë e mosveprimit të punëdhënësit”, tha ai. 

Hulumtuesi i BIRN tha se të gjitha dënimet po rezultojnë me gjoba dhe nuk e arrijnë qëllimin e dënimit. 

Ai shtoi se duhen ndryshime ligjore për mbrojtjen e punëtorëve, sidomos atyre në sektorin privat.