Kastriot Berisha - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Berisha: Punëtorët zvarriten me dekada për të drejtat e tyre  

Hulumtuesi dhe zyrtari ligjor në BIRN, Kastriot Berisha, gjatë emisionit “Kallxo Përnime” tha se punëtorët zvarriten me dekada për të drejtat e tyre.   

Ai ka treguar një rast të një punëtoreje që për 12 vjet nuk ka mundur të realizojë të drejtën e saj dhe ende nuk është kthyer në vendin e saj të punës.   

Ky rast është monitoruar nga KALLXO.com. Berisha thotë se për këtë rast pala ka ushtruar padi në vitin 2010. 

“Punëtorja ka pas një pushim pa pagesë për shkak të një aksidenti dhe kur ka provu me u kthy në vendin e punës, asaj i është bërë e ditur se e ka humbur vendin e punës dhe në vitin 2010 e ka paraqitur rastin dhe për çudi vetëm në vitin 2014 i është caktuar seanca përgatitore, pas 4 vjetëve, kjo tregon për neglizhencës e gjykatës”, tha Berisha.  

Ai tha se pala për të përballuar kostot e gjykatës është dashur të hyjë në kredi.  

 “Në vitin 2019 palës i njihet kompensimi, por kur vjen puna me i marrë paret del se kompania nuk ka mjete në bankë”, tha Berisha gjatë emisionit “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për rreziqet e punëtorëve dhe të drejta e tyre.