Grafika: Granit Mavriqi/KALLXO.com

Bekim Jashari tregon si iu lut Sami Lushtaku: "Mos m'i nguc njerëz e mi'

Bekim Jashari, kryetari i Skenderajt, tha në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur edhe për raportet mes tij dhe kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtakun.

Jashari tregon se raportet me Lushtakun u përkeqësuan pasi kishte marrë timonin e Komunës. Ai pretendon se Lushtaku i kishte thënë që “mos m’i nguc” njerëzit e tij brenda Komunës.

Sipas Jasharit, Sami Lushtaku ishte “prekur” pasi shefit të Prokurimit i ishte ndryshuar pozita.

“Ka pasë rast që ai m’u ka lutë: “Mos m’i nguc”, gjoja njerëzit e tij. Unë i kam thanë: “Rri shlirë për atë punë”, se punëtorët e tij brenda Komunës, se ai që do me punu, le të rrin shlirë siç thonë në gjuhën popullore “shtramo kapuqin, bane punën tane”. Është lëndu goxha shumë pse unë kam largu, apo në fakt e ka largu ai vetëveten, ish-shefin e Prokurimit. Ka shku në komision disiplinor, komisioni e ka largu. U mundu me bë ankesë në gjykatë, por i ka humb. Ai nuk e ka respektu orarin, nuk u ardhë në punë. Unë pastaj ia kam ndërru vendin e punës, sepse ma lejon ligji, por ai s’ka dashtë me ardhë më në punë”, tregon ai.

Gjithashtu, shkak i prishjes së raporteve me njeriun që dikur e përkrahu për kryetar, Jashari thotë se ishin edhe disa shtëpi në vendin e ashtuquajtur – Qyqavicë.

“Kur jemi taku pastaj [me Sami Lushtakun] me tha: “M’i ke qitë njerëzit e mi prej pune”. I kam thanë: “Kënd o Sami, përveç një Haxhi Bejtë, që përpos që e konsideron njeri tëndin për shkak të interesave personale, në formën tjetër nuk e ki kurrgjë”. Ai ma përmendi edhe “kafen e drurit” që e kam liru si pronë publike. Samiu edhe njerëzit e tij rrinin në të”, thotë Jashari.

“Edhe për nja dy-tre shpija në Qyqavicë, që kanë tentu me i ndërtu pa leje. Ka dalë një qytetar me letra, i Burojës, që prapa tij ka qenë tjetërkush. Samiu më ka thanë: “M’i ke rrëzu shtëpiat në Qyqavicë. S’më ka interesu të kujt janë’, shton tutje kryetari në ikje i Skenderajt, Bekim Jashari.

Komuna e Skenderajt në vitin 2019 kishte njoftuar rrënimin e objekteve në zonën e Qyqavicës, për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit.

Bekim Jashari humbi zgjedhjet e 2017-es nga kandidati i PDK-së, Fadil Nura.