Atiq thotë se nuk ka fonde për renovimin e 40 banesave në Mitrovicë të Veriut, pret ndihmen e MAPL-së

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se komuna e tij nuk ka fonde për renovimin e rreth 40 banesave në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë debatit në “Jeta në Komunë”, Atiq ka thënë se për këto renovime e pret ndihmën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Ministria, njëra prej ministrive me gjasë më të madhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, do ta bëjë renovimin e ndërtesave të cilat i ka liruar Agjensioni për Verifikimin e Pronës nën një. Nën dy edhe ne si komunë kemi kërkesa nuk shkon një javë dy, në javë një herë minimumi kam takim me qytetarët që kërkojnë sanimin. Nuk kena pare, me pas pare e kishim bo, po s’kemi”- ka thënë Atiq.

Kërkesën e qytetarëve për renovimin e banesave e paraqiti asamblisti i “Iniciativa Qytetare”, Betim Osmani.

“Kryetari edhe ekzekutivi edhe pse nuk i ka mjetet se që po thojnë buxheti është i varfër duhet të caktohet një komison ose një grup njerëzish që merren me evidentimin me rregullimin dhe monitorimin e këtyre gjërave. Ne e kemi shumë kërkesa jo vetëm renovimin e banesave por edhe të shtëpive. Ki njerëz në ‘Kodrën e Minatorëve’ ku kemi më shumë se dhjetë kërkesa të qytetarëve që iu pikun kulmet dhe nuk është marrë masa as nga komuna e as nga qeveria për renovimin e tyre”- tha Osmani.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin tha se Mitrovica e Veriut është vetmja komunë që nuk ka ende Zyrë për Komunitete.

“Kërkush nuk e ka përmend se na jemi e vetmja komunë që po funksionojmë si drejtori për komunitet që nuk është në përputhje me ligjshmërinë për vetëqeverisje lokale. Pse është ashtu qajo është pyetja. Se Zyra për Komunitete sipas vetëqeverisjes lokale duhet me ekzistu edhe jena e vetmja komunë që s’kena hala”- u shpreh kryesuesi.

Nënkryetarja e kësaj komune, Katarina Agjançiq tha se kjo zyrë pritet të hapet në vitin 2025.

“Kjo do të zgjidhet me anë të pakos së plotë, pra sipas organogramit të ri të drejtorive. Kjo nuk mund të bëhet copë-copë, por vetëm si pako e tërësishme. Jemi duke punuar në të. Besoj se do të bëhet dikur pas vitit të ri, kur edhe do të fillojë buxheti i ri dhe i cili do të jetë në përputhje me organogramin e ri. Këtë vit po e përfundojmë kështu”- tha ajo.

Duke qenë se në një pjesë të debatit u diskutua “hezimi” i serbëve për të punuar në këtë  komunë, Jeta Xharra e pyeti nënkryetaren se a pëballet me këtë vështirësi.

Mirëpo kjo e fundit nuk dha përgjigje për këtë temë.

“Shiko, unë kam përvoje pune mbi 18 vjeçare në institucione të Kosovës, konkretisht në ATK. Nuk do të deklarohesha lidhur me këtë temë, absolutisht. Unë jam në shërbim të qytetarëve të mi lidhur me hallet e tyre. Qytetarët vijnë dhe kërkojnë këshilla. Nuk janë shumë të informuar lidhur me ligjin dhe detyrimet që kanë dhe që do të kenë por po hyjnë në rrjedha. Kanë nevojë lidhur me regjistrim biznesi, pagesë tatimesh, tatimi në pronë, që është risia më e fundit”- përfundoi Agjançiq.