Asamblisti opozitar: Në ndërtimet në Lipjan janë të përfshirë njerëz të afërt me Komunën

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Alban Salihu e ka konsideruar diskriminues buxhetin e Komunës së Lipjanit – të miratuar në shtator të këtij viti.

Kjo pasi, sipas tij, vetëm 8% e buxhetit të Komunës të ndarë për investime kapitale – apo, rreth 570 mijë nga afro 7 milionë euro për këtë kategori – janë ndarë për fshatrat e Lipjanit. 

Kështu deklaroi ai në debatin ‘Jeta në Komunë’ në Lipjan, në të cilin nuk mori pjesë kryetari i komunës, Imri Ahmeti nga LDK-ja. 

“Sipas statistikave, 88% e banorëve në Lipjan jetojnë në fshatra: me u nda ky buxhet, është diskriminues. Kjo ka ndodh për faktin se 6 milionë euro janë nda për Projektin e Sheshit, të cilin  ne e kemi konsideru Projekt jo të nevojshëm për kohën. Sepse, shumë fshatra të Lipjanit përballen me probleme bazike.” – tha Salihu.

Asamblisti i LVV-së tha se kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti e ka shfrytëzuar këtë mandat edhe për “ndërtime të larta”.

Salihu thotë se në Lipjan “në ndërtime të larta” janë të përfshirë njerëz të afërt me Komunën.

“Këtë mandat e ka shfrytëzu edhe “për ndërtime të larta”. Në ndërtime janë të përfshirë shokët e tij. Janë edhe pa plan. Kjo po ndodh për shkak që në ndërtim në Lipjan janë të përfshirë njerëz të afërt me Komunën. Ka raste edhe jashtë Hartës Zonale. Për shembull, në Shesh. Jemi tu përgatitë një rast për me dëshmu, që është jashtë Zonës. Shumë afër Komunës i ka dhënë prona shokut e avokatit të tij personal dhe e ka shfrytëzu – duke ia dhënë disa prona me shumë vlerë, afër Komunës. Ne kemi qenë kundër.” – tha Salihu.

Në ‘Jeta në Komunë’, në Komunën e Lipjanit ka qenë i ftuar edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti. Por, i njëjti nuk ka pranuar të marrë pjesë. 

Të njëjtit i është kërkuar që të delegojë Nënkryetarin apo dhe Drejtorët e tij – për t’iu përgjigjur pyetjeve të Asamblistëve. Por, as kjo nuk ka ndodhur. 

“Këtu e kemi ftuar Kryetarin. Kryetari nuk ka pranu me ardh me u përballë me Asamblenë. Madje, Imriu nuk e ka delegu as Nënkryetarin e Drejtorët e tij – për me u sqaru për pyetjet.” – ka thënë Jeta Xharra, nga ‘Jeta në Komunë’.