Asamblisti i LDK-së në Malishevë: Gjysma e shkollave janë pa drejtorë

Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Malishevës, Labinot Gashi, ka kritikuar qeverisjen e kryetarit Ekrem Kastrati në sektorin e arsimit.

Në debatin “Jeta në Komunë”,  Gashi tha se gjysma e shkollave në Malishevë nuk kanë drejtor por udhëhiqen nga ushtrues të detyrës.

“Është mandati i dytë që gjysma e shkollave në komunën e Malishevës nuk kanë drejtor të shkollës, kanë ushtrues detyre. Imagjinojeni çka bëhet kur një institucion nuk e ka udhëheqësin përkatës. Mandej janë vonesat në rekrutim dhe në momentin që po flasim kemi orë të pambuluara në arsim. Këto janë probleme dhe shqetësime të sistemit të arsimit” –  tha Gashi.

Asamblisti i LDK-së theksoi se ka pasur raste kur një kandidat ka plotësuar kriteret por nuk i është lëshuar vendimi për drejtor.

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se kanë anuluar konkursin për drejtor për shkak të disa “deformimeve procedurale”.

“Ne e kemi pasur një konkurs mirëpo kemi pa gjatë rrugës që konkursi ka pasur deformime procedurale edhe e kemi anuluar konkursin. Tash së shpejti do të kemi një konkurs të ri për drejtorë të shkollave. Ka pasur deformime sepse një kandidat për me i bo argat shokut të vet ka konkurruar në tri shkolla dhe e kemi pa që kjo është një formalitet dhe e kemi anuluar konkursin”- tha Kastrati.

www.kallxo.com