Ambasada e Britanisë së Madhe nuk do ta monitorojë më konkursin për guvernator të BQK-së

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ka thënë që nuk do të marrin pjesë dy herë në procesin e zgjedhjes së guvernatorit të BQK-së në rast se përsëritet konkursi për të parin e Bankës.

Konkursi për guvernator është rekomanduar nga Komisioni për Buxhet që të kthehet në pikën zero, pasi ai nuk i ka përmbushur kushtet sipas ligjit, respektivisht nenet 38 dhe 40 të Ligjit të Bankës Qendrore.

https://kallxo.com/lajm/komisioni-per-buxhet-i-rekomandon-kuvendit-qe-ta-ktheje-ne-piken-zero-konkursin-per-guvernator-te-bqk-se/

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se nga rekrutimet që kjo Ambasadë ka bërë nën këtë qeveri, dy të tretat kanë kaluar dhe janë kompletuar.

“Precedenti tashmë është krijuar dhe ne nuk do ta bëjmë këtë për një herë të dytë. Ne nuk e bëjmë zgjedhjen sepse kjo bëhet nga institucioni. Në ato raste ju keni njerëz që zgjidhen, dhe dy të tretat që janë zgjedhur është përqindje mjaft e mirë, dhe në të njëjtën kohë, mendoj se ka një nivel të caktuar përgjegjësie që kemi në atë proces. Por në fund të fundit, nëse Qeveria apo Kuvendi i Kosovës vendosin se dëshirojnë ta anulojnë dhe të rifillojnë procesin, atëherë mendoj se i takon institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë të pyesin pse po bëhet kjo dhe të vënë në dyshim se çfarë po përpiqen të arrijnë përmes këtyre veprimeve” – tha Abbott,

Sipas ambasadorit, një e treta e rekomandimeve të monitoruesve të Ambasadës britanike nuk janë marrë parasysh.

Nga 29 marsi postin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës e ka marrë përkohësisht Bashkim Nurboja, kryetar i bordit mbikëqyrës.

Kjo pasi procesi për zgjedhjen e guvernatorit nuk ka përfunduar ende. Konkursi për këtë pozitë ishte hapur në nëntor të vitit të kaluar.