Aliu e quan "parodi" idenë për Fondin Sovran

Florin Aliu, njohës financiar dhe profesor në universitetin e Çekisë, idenë e Fondit Sovran e ka quajtur ‘50% parodi’.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se ky Fond s’ka logjikë ekonomike.

Ndonëse thotë që këtë ide e ka përkrahur në fillim ai ka ndryshuar mendje për konceptin e Fondit Sovran.

“Kjo është një çorbë, s’ka kurrgjë këtu, në fund ky ka me qenë dështim i radhës”, tha Aliu.

Ai ka renditur disa arsye që, sipas tij, ky Fond është i destinuar të dështojë.

“Kur ndërtohen dokumente të tilla, bëhen për një reformë të caktuar, analiza bazë mungon, krejt këto diskutime rreth Fondit janë ‘nëse’, por cili është qëllimi përfundimtar?-Është rritja e performancës së kompanive. Është rasti i Maqedonisë Veriore e cila është futur në bursë ndërkombëtare, me 4 miliardë fitime, ndërsa ne flasim parodi këtu” – tha pos tjerash Aliu.

Aliu thotë se beson që përsëri njerëz të afërt me partinë në pushtet do të jenë të punuësuar edhe në Fondin Sovran.

“Nuk ka kurrfarë dallimi prej qeverive të kaluara, prapë njerzit e vet do t’i punësojnë, i njejëti funksion” – thotë Aliu.

Ai ka pyetur nëse garanton dikush që këto kompani që do të hyjnë në kuadër të Fondit Sovran do të kthehen në profitabile.

“Mendoj që jo, këqyre gjithë kjo burokraci brenda Fondit ndërsa kjo tregon që s’marrim vesh asgjë për organizimin e dinamikën e ndërmarrjeve. Ky bord zgjidhet në parlament, zotëria thotë se s’ka ndikim Qeveria, nëse s’mund të na mashtroni se marrim vesh prej këtyre sendeve, keni me i çu prapë njerëzit e juaj aty”.

Ndryshe, në mars të këtij viti është hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.

Fondi Sovran, siç premtonte Kurti, do të zëvendësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke marrë në menaxhim ndërmarrjet publike në vend, të cilat aktualisht menaxhohen nga AKP.

Kurti kishte thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik që është bërë ndonjëherë në Kosovë.

Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik në vend