Albulena Haxhiu reagon pas publikimit të KALLXO.com për shpërndarjen e pyetjeve te testit nga Kryeprokurori Buzhala

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimit të KALLXO.com se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala i ka dërguar pyetje te testit një kandidati për bashkëpunëtorë profesionalë.

Sipas saj, në ministri adresohen pa fund ankesa lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë.

“Janë të panumërta ankesat që adresohen në Ministri të Drejtësisë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë. Kandidatët në vazhdimësi ankohen për punësimin e familjarëve, miqve pra për procese të kurdisura”, është shprehur Haxhiu.

Ajo potencoi se lajmi i sotëm është arsye e mjaftueshme për nisje të hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij.

“Lajmi i sotëm nga portali kallxo.com, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij”, ka theksuar Haxhiu.

“Tejkalimi i detyrave, favorizimi i kandidatëve dhe keqpërdorimi i pozitës nuk duhet të tolerohen”, shtoi ajo.

Kryeprokurori Ramiz Buzhala gjatë ditës së sotme ka dërguar pyetje të një testi për rekrutim në pozitën bashkëpunëtore profesional në adresë të gazetarës së KALLXO.com, Adelinë Ahmeti.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.Ai nuk pranon të jap përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.

Në njërën nga sekondat e bisedës, dëgjohet prokurori deri sa shprehet “kuku. Q….n…. dhe mbyll telefonin”.

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – VIDEO